• e hënë, 23 dhjetor 2024

Propozim buxheti i plotësuar për vitin 2025 para deputetëve

Propozim buxheti i plotësuar për vitin 2025 para deputetëve

Shkup, 10 dhjetor 2024 (MIA) - Në Kuvend sot pritet të fillojë debati për Propozim buxhetin e plotësuar për vitin 2025, si pjesë e rendit të ditës së seancës së 22-të.

Debati rreth amendamenteve për Propozim- buxhetin përfundoi më 29 nëntor, ndërsa në Propozim-buxhetin e plotësuar përfshihen amendamentet e pranuara dhe ndryshimet dhe plotësimet e nevojshme. Konform Rregullores për punë të Kuvendit, shqyrtimi i Propozim -buxhetit të plotësuar në seancë të Kuvendit zgjat më së shumti pesë ditë. Deputeti gjatë debatit mund të flasë disa herë për gjithsej 20 minuta, ndërsa koordinatori i një grupi parlamentar gjithsej 30 minuta. Përfaqësuesi i qeverisë mund të flasë disa herë, por jo më shumë se 30 minuta.

Me Propozim buxhetin e plotësuar parashihet rritje e ekonomisë prej 3,7 për qind dhe sipas Qeverisë, ai është zhvillimor, mbështetës me mjete të planifikuara për investime kapitale, projekte të komunave dhe mbështetje për ekonominë.

Të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar në nivel prej 358,8 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet në nivel prej 400,2 miliardë denarë. Deficiti buxhetor, ndërkaq me shumë absolute prej 41.350 milionë denarëve apo 4 për qind nga BPV-ja.

Inflacioni pritet të ulet në 2,2 për qind si rezultat i stabilizimit të çmimeve të produkteve themelore ushqimore dhe të energjensëve në tregun ndërkombëtar, ngadalësimi i inflacionit të huaj efektiv dhe presionit më të matur nga inflacioni bazik. Për eksportin projeksione për rritje prej 4,2 për qind, ndërsa për importin prej 4,4 për qind.

Për investime kapitale janë planifikuar 50,5 miliardë denarë, si dhe 349,6 miliardë denarë për shpenzime rrjedhëse, si pagesa të rrogave, për pensione, të drejta sociale, subvencione në bujqësi, mbështetje të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme të kategorive të ndjeshme të qytetarëve dhe për ekonominë...

Shpenzimet për rroga janë në nivel prej 48,1 miliardë denarë dhe shënojnë rritje prej 8 për qind, ndërsa për mallra dhe shërbime 26,2 miliardë denarë me ulje prej 0,5 për qind në strukturën e shpenzimeve të përgjithshme. Për pagesë të pensioneve janë planifikuar 105,5 miliardë denarë me të cilat sigurohen mjete për rritjen e paralajmëruar të pensioneve për 2.500 denarë nga marsi i vitit të ardhshëm. Për kompensime të mbrojtjes sociale rreth 14,5 miliardë denarë, për kompensim në të holla në rast të papunësisë 1,6 miliardë denarë, ndërsa për zbatim të politikave dhe masave aktive për punësim 2,3 miliardë denarë. Më shumë mjete janë siguruar për mbrojtje shëndetësore, përkatësisht 52,5 miliardë denarë apo për 10,7 për qind më shumë. Mbështetja në bujqësi është planifikuar në nivel prej 8 miliardë denarëve, përderisa transferet drejt njësive për vetëqeverisje lokale në nivel prej 33,2 miliardë denarëve apo për 2,5 miliardë denarë më shumë.

Qeveria kumtoi se për një periudhë të shkurtë prej gjysmë viti ka arritur të konsolidojë ekonominë, duke u shprehur e kënaqur me të dhënat për rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) nga 3 për qind në tremujorin e tretë të vitit 2024 (korrik, gusht dhe shtator). Pret rritje të ngjashme dhe më të lartë në tremujorin e katërt (tetor-nëntor-dhjetor) të 2024, me çka, tha, do të afroheshim në nivel vjetor prej 3 për qind, "që është shumë më tepër se 1,8 për qind të parashikuara".

Kuvendi e miraton Buxhetin më së voni deri në afatin e caktuar me ligj.

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR