• e shtunë, 06 korrik 2024

Procesi Bërdo-Brioni: Stabiliteti dhe prosperiteti i rajonit janë të ndërvarura, veçanërisht i rëndësishëm është bashkëpunimi rajonal, i bazuar në dialog të sinqertë dhe të hapur

Procesi Bërdo-Brioni: Stabiliteti dhe prosperiteti i rajonit janë të ndërvarura, veçanërisht i rëndësishëm është bashkëpunimi rajonal, i bazuar në dialog të sinqertë dhe të hapur

Shkup, 11 shtator 2023 (MIA) – Procesi Brdo-Brioni është mekanizmi i vetëm për bashkëpunim në nivel të presidentëve në rajon dhe është veçanërisht i rëndësishëm meqë stabiliteti dhe prosperiteti i rajonit janë të ndërvarura dhe është mësa e nevojshme të flitet hapur për çështjet më të vështira, të kërkojmë zgjidhje të qëndrueshme dhe të mbyllim çështjet e hapura.

Këtë e porositi në konferencën e sotme të përbashkët për media Presidenti Stevo Pendarovski dhe bashkënikoqirët Presidentja e Republikës së Sllovenisë, Natasha Pirc-Musar dhe Presidenti i Republikës së Kroacisë, Zoran Milanoviq, pas takimit të liderëve të vendeve të Procesit Bërdo-Brioni në Shkup.

Takimi i sotëm i liderëve të vendeve të rajonit u zhvillua në atmosferë konstruktive, në të cilin u konfirmua rëndësia e bashkëpunimit rajonal, bazuar në dialog të sinqertë dhe të hapur. Si rezultat, do të miratohet Deklarata e Shkupit, në të cilën janë përfshirë konstatimet dhe angazhimet e përbashkëta e të nëntë presidentëve.

Presidenti kroat Zoran Millanoviq, bëri të ditur se shenjë inkurajuese është fakti se atmosfera në takimin e sotëm ishte më e mirë se në dy të fundit.

"Biseduam për tema që na lidhin dhe kanë potencial të tillë, e për ato që nuk janë zgjidhur ende, jo, meqë përvoja ka treguar se kjo është kundërproduktive, po madje edhe e dëmshme", deklaroi Milanoviqi.

Sipas Millanoviqit, ky është procesi i vetëm që është në pronësi rajonale,  dhe nuk ka mentorë nga anash, komisione dhe anëtarë të tjerë të BE-së.

"Disa herë në vitet e mëparshme ishin të ftuar promotorë dhe mentorë. Këtë e shikoja nga një pozicion tjetër atëherë dhe nuk më pëlqeu shumë. Në aspektin politik, të gjithë jemi të rritur si shtete dhe kombe politike. Bisedojmë në këtë format dhe mendoj se duhet të vazhdojë kështu", deklaroi Millanoviqi.

Presidentja sllovene Natasha Pirc-Musar, bëri të ditur se kanë pasur bisedë konstruktive, në të cilën i kanë  kushtuar vëmendjen më të madhe Bashkimit Evropian dhe të rinjve.

"Sllovenia mbështet të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në procesin e afrimit dhe gjithmonë jemi të gatshëm të ndihmojmë me përvojat tona", tha Pirc- Musar.

Pirc-Musar shprehu kënaqësinë nga harmonizimi i deklaratës së përbashkët, e cila për herë të parë identifikoi edhe disa veprime konkrete. Ajo theksoi se Procesi Bërdo-Brioni do të vazhdojë dhe se tashmë janë dy kandidatë ku do të zhvillohet takimi i radhës. 

"Si presidente e Sllovenisë, dua të falënderoj të gjithë kolegët nga shtetet e Ballkanit Perëndimor për ndihmën e ofruar në përballjen me përmbytjet. Këto ishin vendet që ofruan së pari ndihmën e tyre dhe dolën ndër të parat në Slloveni", tha Pirc- Musar.

Pas 11 vitesh nga fillimi i procesit, sipas Pirc-Musar, për herë të parë ndodh që tri gra të ulen në tryezë, dhe sipas asaj që ka parë sot, bëri të ditur se është shumë e rëndësishme të bisedojnë mes vete.

"Përmendët Procesin e Berlinit dhe këto dy procese janë para së gjithash të ndryshme. Bërdo-Brioni është kryesisht i dedikuar për presidentët, derisa Procesi i Berlinit është për ekzekutivin. Por, në fund, si presidentë, me retorikën dhe qëndrimin tonë, bisedën dhe qetësinë, mund të bëjmë shumë. Sllovenia dhe Kroacia janë anëtare të BE-së. Të dy vendet me këshillat e tyre mund të ndihmojnë vendet e Ballkanit Perëndimor. Sinqerisht uroj që ky proces të vazhdojë sepse është jashtëzakonisht i dobishëm", deklaroi Pirc-Musar.

Presidenti Pendarovski, bëri të ditur se tema e parë e takimit të sotëm ishte prioriteti numër një i vendeve të Ballkanit Perëndimor, e ato janë aspiratat dhe integrimet evropiane.

"Dëshira për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pa përjashtim e pranishme në të gjitha shtetet që janë pjesë e këtij forumi, është faktor i rëndësishëm që na motivon dhe na lidh. Në këtë kontekst, të gjithë e kemi të qartë se duhet t'i arrijmë standardet evropiane të qeverisjes së mirë dhe ekonomi funksionale të tregut", deklaroi Pendarovski.

Me përpjekje të përbashkëta, theksoi Pendarovski, duhet të nxisim Ballkanin Perëndimor që të kthehet plotësisht në agjendën evropiane dhe të qëndrojë atje.

"Pa dyshim se e ardhmja, jo vetëm e rajonit tonë, por edhe e botës, do të përcaktohet nga sfida më e madhe globale, që janë ndryshimet klimatike. Në këtë kuptim, ne të gjithë jemi dakord se duhet të forcojmë përpjekjet tona në këtë garë globale me kohën, duke miratuar zgjidhje që do të zbusin efektet negative nga ndryshimet klimatike dhe do të përfshijnë solidaritetin social, politik dhe rajonal", deklaroi Pendarovski.

Në takimin, Pendarovski tha se është biseduar edhe për, pa dilema, sfidën më të madhe për rajonin - shpërnguljen e të rinjve.

"Konkluzioni i përbashkët i të gjithë të pranishmëve ishte se nëse nuk e pengojmë këtë trend dhe ai nuk ngadalësohet me politika konkrete, do të kemi një të ardhme shumë më të keqe sesa ajo që mund ta parashikojmë për momentin. Porosia jonë e përbashkët është të dyfishojmë përpjekjet dypalëshe dhe rajonale për të krijuar perspektiva që të rinjtë të qëndrojnë në rajon dhe të realizohen në vendet e tyre", deklaroi Pendarovski.

Procesi Bërdo-Brioni u mbajt për herë të parë në vitin 2013 me iniciativën e përbashkët të presidentëve të Republikës së Sllovenisë dhe Republikës së Kroacisë, në Bërdo në afërsi të Kranjit.

Qëllimi kryesor i procesit është integrimi i plotë i vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian, stabilizimi i situatave në Ballkanin Perëndimor përmes forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura.

Liderët e vendeve të Procesit Bërdo-Brioni takohen të paktën një herë në vit.

Foto: MIA

 

 

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR