• e martë, 26 nëntor 2024

Procedurë hetimore kundër dhjetë personave pas aksionit të djeshëm "Çibuk", është caktuar masë paraburgimi për tetë të dyshuar

Procedurë hetimore kundër dhjetë personave  pas aksionit të djeshëm

Shkup, 3 mars 2024 (MIA) - Prokurori Publik nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, duke vepruar sipas kallëzimit penal të paraqitur sot nga MPB, ka lëshuar urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj 10 personave, njoftuan nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Të gjithë të dyshuarit, thuhet në njoftim, akuzohen se kanë kryer veprën e prodhimit dhe shpërndarjes së paautorizuar të drogave narkotike, substancave psikotrope dhe prekursorëve nga neni 215 paragrafi 3, paragrafi 1 i KP.

"Gjatë ditës së djeshme, nën udhëheqjen e prokurorit publik në fjalë, punonjësit policorë të Departamentit për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë - Departamenti i Hetimeve Penale - Njësia e Trafikimit të Paligjshëm të Drogës pranë Byrosë së Sigurisë Publike, kanë zhvilluar një operacion të suksesshëm të koordinuar policor me emrin e koduar "Çibuk". Janë kryer bastisje në disa lokacione në Strumicë, Gjevgjeli, Demir Kapi, Strugë, Burgun e Prilepit me rrethinë dhe janë ndaluar 8 persona dhe janë gjetur 13 thasë të bardhë me 193 të tjera me vakum me drogë narkotike marijuanë në sasi prej 99 kg e 630 gramë", sqarohet në kumtesë

Veprimi, shtohet, është rezultat i një procedure disamujore para hetimore, në të cilën është konstatuar se në periudhën nga tetori 2023 deri në mars 2024, të dyshuarit janë bashkuar, si disa persona, me qëllim të shitjes së paautorizuar dhe lëshimit në qarkullim të lëndës narkotike marijuanë dhe për këtë qëllim kanë blerë, ruajtur, transferuar, shitur dhe ndërmjetësuar në shitje të paautorizuara.

Gjatë kësaj periudhe grupi ka organizuar dhe realizuar shitjen e një sasie të madhe të lëndës narkotike marijuanë e blerë pa autorizim nga N.N persona juridikë nga Strumica dhe Demir Kapia, nga Republika e Shqipërisë, si dhe nga një person juridik me veprimtari të kultivimit të erëzave, bimëve aromatike dhe mjekësore dhe bimëve për përdorim nga Strumica.

"Prokurori i rastit nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, duke vlerësuar se ekzistojnë rrethana që arsyetojnë frikën e rrezikut të arratisjes, se do të fshehin, falsifikojnë ose asgjësojnë gjurmët e veprës penale dhe se duke ndikuar ndaj dëshmitarëve dhe bashkëpunëtorëve, do ta pengojnë hetimin, sot gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale – Shkup propozoi caktimin e masës së paraburgimit për tetë të dyshuarit. Dy të dyshuarit e tjerë janë duke e vuajtur dënimin me burg në Burgun e Prilepit, nga ku kanë kryer veprën për të cilën akuzohen", thuhet në kumtesën e Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR