• e premte, 22 nëntor 2024

Presidentja Siljanovska-Davkova do t'i ndajë bursat "Boris Trajkovski" për vitin akademik 2024/2025

Presidentja Siljanovska-Davkova do t'i ndajë bursat

Shkup, 4 nëntor 2024 (MIA) – Presidentja e shtetit Gordana Siljanovska-Davkova sot do t'i ndajë bursat "Boris Trajkovski" për vitin akademik 2024/2025 për 20 studentët më të mirë që do të vazhdojnë shkollimin në "Siti kolegj", kampusin evropian të Universitetit Jork.

"Bursat janë rezultat i aktivitetit dhe bashkëpunimit të përbashkët të presidentit, Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), Fondacionit "Boris Trajkovski" dhe "Siti kolegj", kampusit evropian të Universitetit Jork”, bëjnë të ditur nga kabineti i Siljanovska-Davkovës.

Ministria e Arsimit dhe Shkencës në muajin gusht ka shpallur Konkursin për ndarjen e bursave “Boris Trajkovski” për studime të jashtëzakonshme dyvjeçare të ciklit të dytë për programin panevropian ekzekutiv MBA për vitin akademik 2024/2025.

Bursat ndahen nën organizimin e kabinetit të presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për drejtimet: menaxhim i përgjithshëm; marketing; financa; menaxhim në logjistikë; menaxhim në shëndet dhe menaxhim të resurseve njerëzore. Ato mbulojnë tarifat e shkollimit për 20 studentë për të studiuar në këtë program i cili realizohet në Selanik me diplomë të dyfishtë - nga Universiteti Jork në Mbretërinë e Bashkuar dhe Universiteti i Strasburgut në Francë.

Konkursi për këto bursa u dedikohet profesionistëve të profileve të ndryshme dhe menaxherëve të biznesit të punësuar në kompani nga sektori privat dhe publik.

Njëzet kandidatët më të mirë zgjidhen sipas kritereve të përcaktuara në konkursin për ndarjen e bursave dhe sipas rang listës së përgatitur nga Komisioni përzgjedhës.

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR