Presidentja Siljanovska - Davkova i pranoi letrat kredenciale të ambasadores së porsaemëruar të Japonisë
- – Presidentja Gordana Siljanovska – Davkova i pranoi letrat kredenciale të ambasadores së porsaemëruar të Japonisë, Secuko Kavahara, njoftoi kabineti i saj.
- Post By Fitore Curri
- 19:36, 17 janar, 2025

Shkup, 17 janar 2025 (MIA) – Presidentja Gordana Siljanovska – Davkova i pranoi letrat kredenciale të ambasadores së porsaemëruar të Japonisë, Secuko Kavahara, njoftoi kabineti i saj.
Në ceremoninë e dorëzimit të letrave kredenciale, presidentja Siljanovska – Davkova theksoi se, edhe pse gjeografikisht janë larg, të dyja vendet i lidhin vlera të përbashkëta dhe vizion për ndërtimin e botës më të mirë, duke shtuar se është e bindur thellë në ekzistimin e vullnetit të fuqishëm të përbashkët për thellimin dhe afrimin e marrëdhënieve dypalëshe.
“Shteti ynë e vlerëson bashkëpunimin me vendet e kontinentit aziatik, ndërsa marrëdhëniet me Japoninë kanë vend të veçantë në politikën tonë të jashtme. Përvoja e juaj e pasur diplomatike dhe përgatitja padyshim do të kontribuojnë për fuqizim të mëtutjeshëm të marrëdhënieve në të gjitha sferat me interes të përbashkët, nga sfera politike dhe ekonomike, deri në shkëmbim kulturor dhe bashkëpunim shkencor – teknologjik”, tha presidentja.
Në atë drejtim e shprehu kënaqësinë e saj nga programet dhe projektet e ndryshme japoneze për bashkëpunim, që lënë shenjë të jashtëzakonshme në shoqërinë e Maqedonisë së Veriut, ndërsa veçanërisht shembulli pozitiv japonez për festimin e jubileve, 30 ngjarje origjinale të cilat do të mbeten si vulë për miqësinë maqedonase – japoneze.
Ambasadori Kavahara, duke iu referuar festimit të 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike të vitit të kaluar, tha se ishte një nder i veçantë për ta që presidentja të merrte pjesë në disa nga ngjarjet lidhur me kremtimin e atij përvjetori. Ajo theksoi se Japonia i kushton rëndësi të jashtëzakonshme stabilitetit dhe prosperitetit të rajonit të Ballkanit Perëndimor, veçanërisht përmes “Nismës për Bashkëpunim të Ballkanit Perëndimor” të ngritur nga Qeveria e Japonisë në vitin 2018, në kuadër të së cilës janë zbatuar me sukses disa programe në fusha të tilla si ekonomia, mbrojtja e mjedisit dhe parandalimi i katastrofave.
Ambasadorja shprehu gatishmëri për mbështetje të mëtutjeshme të proceseve tona të reformave, duke shtuar se është e vendosur që t’i vendosë të gjitha përpjekjet për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe për avancimin e bashkëpunimit në skenën ndërkombëtare.
Presidentja Siljanovska – Davkova, siç bëhet e ditur në kumtesën e kabinetit të saj, ambasadores Kavahara i dëshiroi kryerje me sukses të misionit diplomatik për bashkëpunim të ardhshëm të frytshëm. fc/
Fotografia: Kabineti i presidentes Siljanovska – Davkova