• e martë, 24 dhjetor 2024

Petrovska: Me përkushtim punojmë në zhvillimin e kapaciteteve tona për përballjen me kërcënimet hibride

Petrovska: Me përkushtim punojmë në zhvillimin e kapaciteteve tona për përballjen me kërcënimet hibride

Shkup, 6 maj 2023 (MIA) - Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska sot në mëngjes në Ohër mori pjesë në punëtorinë me temë “Rritja e vetëdijes për kërcënimet hibride: fuqizimi rezistencës së Ballkanit Perëndimor”, organizuar nga Këshilli Euroatlantik i Maqedonisë së Veriut, ku u diskutua për ndjeshmërinë e shoqërive ndaj kërcënimeve hibride dhe nevojës për forcimin e rezistencës gjithëpërfshirëse sociale ndaj këtyre kërcënimeve, si një hallkë kyçe në uljen e ndikimit të tyre të dëmshëm.

Petrovska, siç bëri të ditur Ministria, në fjalimin e saj hyrës porositi se jetojmë në kohë në të cilën mjedisi i sigurisë është i paparashikueshëm dhe kompleks sepse faktorë të ndryshëm global shfrytëzojnë mjete dhe metoda joluftarake që të krijojnë paqëndrueshmëri dhe destabilizim.

"Kërcënimet hibride  përfshirë edhe përhapjen e lajmeve të rreme dhe dezinformatave mund të shkaktojnë dëme të mëdha në një shoqëri, pa përdorur asnjë ushtar dhe asnjë mjet ushtarak. Ndikimi i tyre negativ mund të reflektohet në kapacitetet demokratike të shoqërisë sonë, në uljen e besimit të qytetarëve në qeveritë e zgjedhura në mënyrë demokratike, si dhe në perceptimin e qytetarëve se institucionet nuk kanë kapacitete për t'u përballur me këtë fenomen negativ", tha ministrja.

Përgjigjja e vetme efikase, theksoi Petrovska, është zgjerimi i qasjes sonë drejt sigurisë dhe atë në mënyrë të përbashkët me të gjithë faktorët në shoqëri dhe me aleatët tanë.

Petrovska theksoi se Maqedonia e Veriut punon me përkushtim në zhvillimin e kapaciteteve të saja për përballjen me kërcënimet hibride, përderisa njëkohësisht zhvillohet edhe vetëdija publike dhe nevoja e mendimit kritik dhe njohja e dezinformatave. 

Në kuadër të bashkëpunimit me vendet aleate dhe partnere që përballen me të njëjtat sfida të sigurisë si Maqedonia e Veriut, ministrja theksoi se është e nevojshme që ky bashkëpunim të forcohet edhe më shumë, duke pasur parasysh se tashmë ekzistojnë disa formate të bashkëpunimit në rajon. Në këtë drejtim është edhe bashkëpunimi me aleatët tanë të NATO-s, me të cilët ndajmë të njëjtat vlera dhe parime, dhe si pjesë e Aleancës, bashkërisht ndërtojmë kapacitetet me të cilat mund të përballemi në mënyrë efikase me këto kërcënime asimetrike. 

Në forum fjalime hyrëse kishin edhe Ismet Ramadani, kryetar i Këshillit Euroatlantik të Maqedonisë së Veriut dhe Filip Tosevski, sekretar shtetëror në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ndërsa prezantime të tyre kishin edhe pesëmbëdhjetë ekspertë nga sektori joqeveritar dhe akademik nga rajoni dhe Evropa. fc/

Fotografia: Ministria e Mbrojtjes

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR