• e hënë, 23 dhjetor 2024

Petrovska: Kur flasim për integrimin evropian, duhet të flasim për partitë politike në aspektin e ideologjisë së tyre dhe çfarë duan të arrijnë

Petrovska: Kur flasim për integrimin evropian, duhet të flasim për partitë politike në aspektin e ideologjisë së tyre dhe çfarë duan të arrijnë

Shkup, 8 shkurt 2024 (MIA) - Opozita shqiptare duhet të merret me çështje që janë në interes të shtetit. Më vjen keq që ka ende parashenja të partive shqiptare dhe maqedonase në Maqedoninë e Veriut, mendoj se duhet të ngrihemi në një nivel më të lartë, dhe atëherë kur flasim për integrimin evropian të vendit tonë, duhet të flasim për partitë politike në aspektin e ideologjisë së tyre dhe atë që duan të arrijnë. Interesi i çdo opozite është të vijë në pushtet, por si do të vijnë në pushtet dhe çfarë do të bëjnë dhe si do të paraqiten para qytetarëve dhe çfarë programi progresiv do të prezantojnë është obligim i tyre dhe i partive politike që janë pjesë e pushtetit, tha ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska.

Ajo  në emisionin Vetëm intervistë në Televizionin Kanal 5, tha se ndërhyrja e së njëjtës retorikë nacionaliste, kush është shqiptar më i madh apo maqedonas, po na kthen mbrapa dhe se atë retorikë e kemi pasur edhe më parë dhe ka mbaruar.

"Ne ofruam një koncept për rrjedhën e ardhshme të rrugës së vendit tonë dhe e quajtëm rrugën evropiane, siç mendojmë se vendi duhet të vazhdojë. Se cilat parti do të pranojnë të jenë pjesë e atij blloku evropian, do ta shohim. Këto do të jenë parti politike që ndajnë vizionin e përbashkët për Maqedoninë e Veriut si shtet evropian dhe shtet anëtar i BE-së, përveç që kemi arritur suksesin më të madh deri më tani, që është anëtarësimi në aleancën e NATO-s. Pres që në atë bllok të bashkohen  partitë politike me orientim evropian. Ata që duan Maqedonia e Veriut të vazhdojë në rrugën drejt BE-së pa shkaktuar apo krijuar pengesa të reja, por përkundrazi, duke marrë vendime që janë të vështira, duhet të shikojnë përtej interesave dhe rejtingjeve të tyre", tha ajo.

Petrovska, lidhur me anketat që dolën në opinion, theksoi se është një segment, por janë duke u bërë analiza më të thella.

"LSDM e ka thënë qartë dhe do të përsërisim se dëshirojmë integrim të plotë të vendit në BE, kjo është rruga e vetme që duhet ta zgjedhim të gjithë së bashku", tha Petrovska.

Sipas saj, Qeveria është teknike sepse jemi para zgjedhjeve, por, theksoi ajo, kjo Qeveri dhe të gjitha institucionet duhet të garantojnë që ne do t'i kryejmë të gjitha obligimet dhe përgjegjësitë siç është planifikuar dhe nuk do të pengojmë funksionimin normal të shtetit.

"Përveç faktit që fokusi është te zgjedhjet, sigurisht që ne kryejmë edhe aktivitetet tona të përditshme, secili në kompetencën e tij. Në lidhje me pyetjen tuaj, të Aleancës dhe turbullirat që kanë brenda në partinë e tyre politike, nga ky aspekt nuk do të hyja në analizën e ngjarjeve në partinë e tyre, por do të them se ai që është propozimi i kryeministrit, Xhaferi, që tashmë është propozuar në Kuvend, e që është zëvendësimi i dy ministrave, shpresoj se do të mbështetet", tha ajo.

Ajo theksoi se LSDM-ja ndjek deklaratat e bëra në publik nga Taravari, të cilat tregojnë se shohin perspektivë në bllokun opozitar. Petrovska theksoi se nëse ata mendojnë se blloku opozitar jep shanse më të mira, pse qëndrojnë në Qeveri dhe në pushtet  si dhe kur janë të mendimit se opozita është më e mirë është e palogjikshme. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR