Pesë vjet nga anëtarësimi në NATO – përmbushet një prej qëllimeve strategjike të vendit
- Republika e Maqedonisë së Veriut sot shënon pesë vjet nga anëtarësimi në NATO, pasi u bë anëtarja e 30-të e Aleancës në këtë ditë të vitit 2020. Me këtë, vendi realizoi një nga qëllimet e saj strategjike e cila ishte e përcaktuar edhe në Rezolutën që Kuvendi e miratoi në vitin 1993.
- Post By Fami Bajrami
- 10:33, 27 mars, 2025

Shkup, 27 mars 2025 (MIA) - Republika e Maqedonisë së Veriut sot shënon pesë vjet nga anëtarësimi në NATO, pasi u bë anëtarja e 30-të e Aleancës në këtë ditë të vitit 2020. Me këtë, vendi realizoi një nga qëllimet e saj strategjike e cila ishte e përcaktuar edhe në Rezolutën që Kuvendi e miratoi në vitin 1993.
Në Klubin e deputetëve në Shkup sot do të mbahet takim i Ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashme, Timço Mucunski me ambasadorët e vendeve - anëtare dhe partnere të Aleancës. Sipas rendit të ditës, në fillim do të ketë fjalim ministri Mucunski dhe më pas do të ketë një diskutim të mbyllur.
Angazhimi për integrimet euroatlantike daton që nga viti 1993, kur Kuvendi miratoi Rezolutën me të cilën përcaktoheshin prioritetet e politikës së jashtme të vendit, përkatësisht anëtarësimi në NATO dhe BE.
Më 15 nëntor të vitit 1995, vendi nënshkroi Dokumentin kornizë për aderim në programin “Partneriteti për paqe” dhe më 14 qershor të vitit 1996 u hap Zyra ndërlidhëse. Në prill të vitit 1999, në Samitin e NATO-s në Uashington, Republika e atëhershme e Maqedonisë fitoi statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Aleancë dhe më pas filloi përgatitja dhe zbatimi i planit të veprimit për anëtarësim.
Në deklaratën përfundimtare të Samitit të NATO-s në Bukuresht në vitin 2008, Aleanca vendosi që vendi të marrë një ftesë për anëtarësim pas zgjidhjes së kontestit të emrit me Greqinë.
Në kuadër të deklaratave të samiteve të NATO-s në vijim (Lisbonë 2010, Çikago 2012, Uells 2014 dhe Varshavë 2016), u përsërit formulimi nga Bukureshti se Aleanca do të bënte ftesë për anëtarësim në NATO menjëherë pas arritjes së një zgjidhje të pranueshme reciprokisht për çështjen e emrit në kuadër të KB-së.
Në Samitin e NATO-s në Bruksel, 11-12 korrik 2018, Këshilli Veriatlantik, në një takim në nivel të krerëve të shteteve dhe qeverive vendosi të ftojë Republikën e Maqedonisë së Veriut që të fillojë bisedimet për anëtarësim në Aleancë.
Më 1 gusht 2018, Sekretari i atëhershëm i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i dërgoi një letër ministrit të atëhershëm të Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, së bashku me Planin për zbatimin e procesit të anëtarësimit në NATO.
Më 18 dhe 19 tetor 2018, në një takim të mbajtur në selinë e NATO-s në Bruksel, vendi përfundoi me sukses bisedimet e anëtarësimit për anëtarësim. Më 21 janar 2019, Ministri i Punëve të Jashtme i dërgoi një letër Sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, ku shprehte gatishmërinë dhe aftësinë e vendit për të pranuar dhe respektuar detyrimet dhe angazhimet për anëtarësimin në NATO, të përfshira në Marrëveshjen e Uashingtonit dhe Studimin e zgjerimit të NATO-s të vitit 1995, si dhe dëshirën për të marrë një ftesë për anëtarësim në NATO.
Më 6 shkurt 2019, në selinë e NATO-s në Bruksel, përfaqësuesit e 29 shteteve anëtare të Aleancës, në prani të sekretarit të atëhershëm të përgjithshëm të NATO-s dhe ish ministrit të Punëve të Jashtme, nënshkruan Protokollin për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Aleancë.
Pas ceremonisë solemne në Bruksel, filloi procedura për ratifikimin e Protokollit të Anëtarësimit nga të 29 shtetet anëtare të Aleancës. Procedura e ratifikimit të protokollit të aderimit u finalizua më 19 mars 2020, kur ambasadori i Mbretërisë së Spanjës në Uashington, dorëzoi instrumentin e ratifikimit të Marrëveshjes të Uashingtonit, duke përfunduar kështu fazën e tretë dhe të fundit të procesit të anëtarësimit.
Për të siguruar mbarëvajtjen e procesit të integrimit të vendit në NATO, Kuvendi ratifikoi njëzëri Marrëveshjen Veriatlantike më 11 shkurt 2020, që u pasua më 20 mars 2020, me nënshkrimin e instrumentit të ratifikimit të Protokollit të anëtarësimit në NATO nga presidenti i vendit.
Më 27 mars 2020, instrumenti i anëtarësimit në Marrëveshjen Veriatlantike u depozitua në Departamentin e shtetit të SHBA-së përmes ambasadës së Maqedonisë në Uashington, duke e bërë vendin zyrtarisht shtetin e tridhjetë anëtar të Aleancës.
Foto: arkivi i MIA-s