"Personelit ndihmës po i bie të fikët nga uria“, ndërsa uria përhapet në Gazë dhe shpresat për armëpushim zbehen
- Kreu i agjencisë kryesore të KB-së që shërben palestinezët deklaroi se punonjësit e tij në vijën e parë po asfiksohen nga uria, ndërsa numri i personave që vdesin nga uria në Gaza vazhdon të rritet, dhe shpresat për armëpushim po zbehen për shkak të dështimit të negociatave.
- Post By Fami Bajrami
- 13:13, 25 korrik, 2025
25 korrik 2025
Gardian – Londër
Kreu i agjencisë kryesore të KB-së që shërben palestinezët deklaroi se punonjësit e tij në vijën e parë po asfiksohen nga uria, ndërsa numri i personave që vdesin nga uria në Gaza vazhdon të rritet, dhe shpresat për armëpushim po zbehen për shkak të dështimit të negociatave.
“Kjo krizë e thelluar prek të gjithë, përfshirë ata që përpiqen të shpëtojnë jetë në enklavën e shkatërruar nga lufta... kur ata që kujdesen për të tjerët nuk mund të gjejnë ushqim të mjaftueshëm, i gjithë sistemi humanitar shembet,” deklaroi dje Filiip Lazarini, kreu i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Punë (UNRUA).
Të paktën 45 persona kanë vdekur nga uria gjatë katër ditëve të fundit. KB-ja dhe grupet humanitare fajësojnë bllokadën e Izraelit ndaj pothuajse të gjithë ndihmës në territor për mungesën e ushqimit. Lazarini tha se një koleg nga territori i kishte thënë: “Njerëzit në Gaza nuk janë as të vdekur as të gjallë, ata janë të vdekur ndër te gjallë"
Ai tha se UNRUA ka ekuivalentin e 6,000 kamionëve me ushqim dhe materiale mjekësore që presin në Jordan dhe Egjipt dhe i bëri thirrje Izraelit të lejojë “partnerët humanitarë të sjellin ndihmë humanitare të pakufizuar dhe të pandërprerë në Gaza.
Në ditët e fundit kanë dalë raporte për njerëz që asfiksohen dhe vdesin nga uria.
Punonjësit e mbrojtjes civile publikuan fotografi të trupave të dobësuar me pak më shumë se lëkura që mbulon eshtrat.
Burime mjekësore në Gaza njoftuan se dy persona të tjerë vdiqën dje nga uria, të cilët ishin të sëmurë dhe nuk kishin ngrënë për ditë me radhë.

Ndërsa presioni ndërkombëtar rritej për të arritur një zgjidhje për t'i dhene fund luftës shkatërruese që zgjat gati dy vjet, Emanuel Makron njoftoi se Franca do të njohë shtetin palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të KB-së në shtator.
“Besnik ndaj angazhimit historik për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, vendosa që Franca të njohë Shtetin e Palestinës. Do ta bëj njoftimin formal në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator,” shkroi presidenti francez në X dhe Instagram.
Paraprakisht, Izraeli dhe SHBA-ja njoftuan se po tërheqin negociatorët e tyre nga Doha, ku po zhvilloheshin bisedimet për paqe. Përfaqësuesi amerikan, Stiv Uitkof, e akuzoi Hamasin se nuk tregonte vullnet të mirë.
“Vendosëm të kthejmë ekipin tonë në shtëpi për konsultime pas përgjigjes së fundit të Hamasit, e cila tregon qartë mungesë dëshire për të arritur armëpushim në Gaza,” shkroi ai në X.
Uitkof tha se SHBA do të shqyrtojë “opsione alternative” për kthimin e pengjeve dhe “krijimin e një ambienti më të qëndrueshëm për njerëzit në Gaza” pa dhënë më shumë detaje.
Ky njoftim erdhi pasi Hamas dërgoi përgjigjen e tij për propozimin e fundit për armëpushim tek ndërmjetësit. Ishte një ndryshim i papritur në krahasim me optimizmin e ditës së mëparshme, kur "Asoshied Pres" raportoi se një zyrtar izraelit tha se propozimi i Hamasit ishte i realizueshëm.
Uitkof gjithashtu pritej të takonte këshilltarin kryesor izraelit, Ron Dermer, dhe kryeministrin e Katarit Sheik Mohamed bin Abdulrahman al-Tani në Sardinia, një shenjë që u konsiderua pozitive për bisedimet e armëpushimit. Nuk dihet nëse këto takime janë planifikuar.
Propozimi i Hamas përfshin kërkesa për numrin e të burgosurve të shkëmbyer, agjencitë që do të lejohen të shpërndajnë ndihmën në Gaza dhe një fund të përhershëm të luftës në vend të armëpushimit, raportuan mediat izraelite.
Kërkesat e grupit erdhën ndërsa presioni global ndaj Izraelit për të ndalur luftime po rritej dhe gjithnjë e më shumë vende shprehën tmerr për skenat e urisë në territor. Një zyrtar palestinez i afërt me bisedimet për "Rojters" deklaroi se përgjigjja e Hamasit ishte “fleksibile, pozitive dhe merr parasysh vuajtjet në rritje në Gaza dhe nevojën për të ndalur urinë.
Sipas "Rojters", duke iu referuar një burim te Hamasit tha se propozimi përfshinte një plan të ri për shkëmbimin e të burgosurve, që është prioritet kryesor për grupin.
Forumi i familjeve të pengjeve izraelite, që përfaqëson familjet e atyre që mbahen në Gaza, lëshoi një deklaratë duke shprehur shqetësim për lajmin se negociatorët janë tërhequr dhe kërkoi arritjen e shpejtë të armëpushimit. “Çdo ditë që kalon rrezikon shanset për rikthimin e pengjeve dhe rrezikon humbjen e mundësisë për të lokalizuar të rënët ose për të marrë informacion thelbësor zbulues për ta,” thuhet në deklaratë.
Marrëveshja që po diskutohej pritej të përfshinte një armëpushim 60-ditor gjatë së cilit Hamas do të lirojë 10 pengje të gjallë dhe trupat e 18 të tjerëve në këmbim të të burgosurve palestinezë.
Gjatë periudhës së armëpushimit do të zhvilloheshin bisedime për arritjen e paqes së përhershme dhe rritjen e ndihmave për territorin e rrethuar. Perspektiva serioze për armëpushim në Gaza u shfaq vetëm pasi përfundoi lufta mes Iranit dhe Izraelit muajin e kaluar. Ndërsa negociatat vazhduan, sulmet izraelite u intensifikuan. Të paktën 89 persona u vranë në 24 orët e fundit nga sulmet ajrore izraelite në pjesën qendrore të Gazës, njoftuan autoritetet shëndetësore.

Izraeli citon se mediat ndërkombëtare po e ekzagjerojnë përmasën e krizës së urisë, megjithëse grupet humanitare dhe imazhet nga Gaza tregojnë prova të qarta të urisë, ndërsa mjekët që trajtojnë fëmijë të kequshqyer thonë se as vetë nuk arrijnë të ushqehen mjaftueshëm.
Izraeli lejon vetëm një sasi minimale ndihme të hyjë në Gaza, ndihmë që shpërndahet kryesisht nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), një firmë private amerikane. GHF menaxhon katër pika shpërndarjeje ushqimi, ku punojnë mercenarë amerikanë, një sistem që është përshkruar si një kurth vdekjeprurës. Më shumë se 1.000 njerëz që kërkonin ndihmë janë vrarë duke u përpjekur të arrijnë te furnizimet gjatë gati dy muajve që GHF operon në Gaza.
Më parë, ndihma shpërndahej përmes më shumë se 400 pikave shpërndarjeje në një sistem të drejtuar nga KB-ja, por Izraeli pothuajse e ka ndërprerë tërësisht hyrjen e ndihmës nga KB-ja në territor që prej marsit. Izraeli akuzon Hamasin se vjedh ndihmat e KB-së, një pretendim për të cilin organizatat humanitare thonë se ka pak prova. Grupi humanitar thonë se GHF, që supozohej të zëvendësonte KB-në, nuk ka kapacitetin për ta bërë këtë dhe se modeli i tij i militarizuar shkel parimet thelbësore humanitare.
Rikthimi i sistemit të ndihmës së KB-së si pjesë e një marrëveshjeje armëpushimi është një kërkesë kyçe e Hamasit.
Negociatorët izraelitë kanë zbutur qëndrimin e tyre për këtë çështje ndërkohë që rritet presioni edhe brenda vetë Izraelit për t’i dhënë fund krizës së urisë, të cilën drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adanom Gebrejesus, të mërkurën e përshkroi si një krizë të shkaktuar nga njerëzit.
Mijëra protestues izraelitë, që mbanin thasë mielli dhe fotografi të fëmijëve palestinezë që kishin vdekur nga uria, protestuan të mërkurën në Tel -Aviv duke kërkuar t’i jepet fund bllokadës së Gazës. Hamasi gjithashtu kërkon që marrëveshja për armëpushim të përfshijë një përfundim të përhershëm të luftës në Gaza – diçka që Izraeli e ka refuzuar.
Marrëveshja për armëpushim është e papëlqyeshme mes anëtarëve më ekstremistë të kabinetit të Benjamin Netanjahut dhe Izraeli po përpiqet të ruajë mundësinë e rifillimit të luftës pas një periudhe armëpushimi.
Foto: DPA