• e diel, 22 dhjetor 2024

Penov: Çdo i katërti qytetar ka vërejtje ose dyshon për korrupsion në punën e vetëqeverisjes lokale

Penov: Çdo i katërti qytetar ka vërejtje ose dyshon për korrupsion në punën e vetëqeverisjes lokale

Shkup, 24 janar 2024 (MIA) - Çdo i katërti qytetar ka vërejtje ose dyshon për korrupsion në punën e vetqeverisjes lokale, por, hulumtimi i rregullt tregoi edhe se ka tendencë të rritjes së pakënaqësisë së qytetarëve të shërbimeve në komunat dhe punën e kryetarëve të komunave, tha sot ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Risto Penov. 

Ai në panelin e sotëm "Bujqësia dhe zhvillimi i barabartë rajonal - Mundësi dhe perspektiva të BE-së" theksoi se pushteti qendror është në "luftë" të vazhdueshme me komunat të cilat shpëtimin për punën e tyre financiare e kërkojnë në: "na jepni para". 

"Prioritet këtë viti do të jetë forcimi i kapaciteteve të komunave, si në aspektin administrativ ashtu edhe financiar, në mënyrë që ato të përfshihen në mënyrë më aktive dhe cilësore në përmbushjen e shërbimeve të qytetarëve. Hulumtimet e rregullta kanë treguar se ka tendencë të rritjes së pakënaqësisë së qytetarëve me shërbimet e vetëqeverisjes lokale, në radhë të parë komunat dhe punën e kryetarëve të komunave. Megjithatë, më shqetësues është fakti se çdo i katërti qytetar ka vërejtje apo dyshon për korrupsion në funksionimin e vetëqeverisjes lokale. Këto dy sfida mund t'i tejkalojmë duke forcuar kapacitetet administrative të komunave, por jo vetëm përmes seminareve dhe këshillimeve për punonjësit, por edhe përmes edukimit real dhe madje edhe dhënies së ndihmës në punësimin dhe mbajtjen e stafit të caktuar", theksoi Penov.

Sipas tij, edhe pse urbanizmi është decentralizuar plotësisht, vazhdimisht rritet numri i ndërtimeve pa leje, ndërsa disa komuna ende nuk kanë të punësuar inspektorë të ndërtimtarisë. 

"Kemi urbanizëm tërësisht të decentralizuar, komunat janë plotësisht kompetente dhe numri i ndërtimeve pa leje është vazhdimisht në rritje. Pra, funksioni nuk është kryer, e dimë edhe se disa komuna nuk kanë të punësuar inspektorë ndërtimi. Për të mos e përmendur vetëm Komunën e Çairit, këtu është edhe Komuna e Radovishit, edhe ajo nuk ka inspektor ndërtimi. Komunat e tilla nuk arrijnë ta plotësojnë këtë boshllëk as me bashkëpunim komunal", nënvizoi ministri.

Në lidhje me fuqizimin e kapaciteteve financiare, Penovi përkujtoi se Qeveria me ribalancin e Buxhetit ka ndarë 32,5 milionë euro për 66 projekte në 44 komuna. 

"Jemi në 'luftë' të vazhdueshme me komunat të cilat zgjidhjen e vetme për financim e kërkojnë te pushteti qendror edhe pse me decentralizimin u janë ndarë mjete për grumbullimin e mjeteve: tatim të pronës, taksa ekologjike,... Rregullin 'ndotësi duhet ta paguajë ndotjen' nuk e zbatojnë, sipërfaqet publike janë gati falas, çmimet e shërbimeve publike janë nën nivelin normal,... për këtë bëjnë humbje, ndërsa shërbimet bien, ndërsa ata shpëtimin e kërkojnë në 'na jepni para", potencoi Penovi. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s dhe print skrin

QËNDRONI TË LIDHUR