• e diel, 22 dhjetor 2024

Pendarovski: Vizioni im jetësor është që Maqedonia të jetë vend pa ndarje të brendshme

Pendarovski: Vizioni im jetësor është që Maqedonia të jetë vend pa ndarje të brendshme

Shkup, 12 prill 2024 (MIA) - Maqedonia duhet të jetë shtet pa ndarje të brendshme, vend i bashkëjetesës, vend ku jetohet denjësisht. Nuk kemi më kohë për të humbur dhe duhet të vazhdojmë rrugën që kemi bërë deri më tani, ka thënë sonte kandidati për president Stevo Pendarovski i cili ka mbajtur tubim në komunën e Karposhit dhe është takuar me banorët e komunave të Shkupit, Ilindenit dhe Petrovecit.

"Nuk ka plan B. Nëse nuk e ndryshojmë Kushtetutën, nuk do t'i vazhdojmë negociatat me BE-në. Qe 25 vjet merrem me politikën ndërkombëtare dhe e di që nuk mundet ndryshe. Por ata me këmbëngulje thonë se do t'i rinegociojnë të gjitha marrëveshjet", tha Pendarovski. Ai përmendi qeverisjen e Gruevskit dhe problemin më të madh i vendit, që sipas tij është emigrimi i të rinjve. Ai tha se të rinjtë do të qëndrojnë në shtëpi vetëm nëse standardi i jetesës dyfishohet.

Pendarovski para banorëve të komunës së Karposhit tha se do të mbetet president për të gjithë dhe kërkoi mbështetjen e tyre. Ai iu referua punës së tij të mëparshme dhe shtoi se qëndron pas çdo vendimi të tij pasi siç tha rezultatet janë të dukshme. Vendi që katër vjet që është anëtare e NATO-s, aleanca më e madhe ushtarake dhe siguria e saj është e garantuar. Sipas tij, nëse nuk do të kishim bllokadë të jashtme nga Bullgaria dhe prej brenda nga VMRO-DPMNE, pas disa vitesh vendi do të ishte anëtare fuqiplotë e BE-së.

Kryetari i LSDM-së Dimitar Kovaçevski theksoi se kanë vizion për të ardhmen, vullnet, dituri, guxim dhe plan që deri në vitin 2030 ta çojnë vendin në BE bashkë me, siç tha, presidentin tonë Stevo Pendarovski.

"Ne treguam guxim dhe kapacitet të burrështetasit. Ata u treguan frikacakë dhe të papërgjegjshëm ndaj asaj më të rëndësishme – të ardhmes së vendit. Ne morëm vendime për një të nesërme më të mirë për të gjithë qytetarët – ata bllokuan. Edhe pse ishte shumë e vështirë, arritëm të fillojmë negociatat me BE-në, arritëm të negociojmë kornizë në të cilën e kemi mbrojtur gjuhën, identitetin dhe kulturën maqedonase", thekson Kovaçevski.

"Së bashku me ekipin tim do të punoj ditë e natë për të përmbushur pritjet e shumicës së qytetarëve për të jetuar në Maqedoninë evropiane. Ditë e natë për standard evropian të jetesës, për arsim më të mirë, shëndet më të mirë, për shkatërrimin e korrupsionit, për shtet sipas standardeve evropiane siç e duan dhe e meritojnë qytetarët", tha Kovaçevski.

Foto: LSDM

 

QËNDRONI TË LIDHUR