• e hënë, 23 dhjetor 2024

Pendarovski: Pa ndryshime kushtetuese deri në nëntor shteti nuk do të destabilizohet, por do të ngec në aspektin demokratik

Pendarovski: Pa ndryshime kushtetuese deri në nëntor shteti nuk do të destabilizohet, por do të ngec në aspektin demokratik

Shkup, 15 shtator 2023 (MIA) - Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski thotë se si edhe më parë, edhe sot është realist sa i përket pritshmërive nëse ndryshimet kushtetuese do të ndodhin në nëntor. Ai tha se nëse nuk ndodhin deri atëherë, nuk ka ndonjë rrezik për destabilizim të vendit, por se është e mundur ngecje drastike demokratike dhe stagnim ekonomik.

"Nuk mund të them se nuk do të jenë, nuk i di komunikimet e mundshme nëse ekzistojnë, cilët njerëz nga qeveria apo ndërmjetësuesit ndërkombëtarë mund t'i kenë me të dyja palët. Ndoshta diçka këtu do të ndryshojë. Por shoh që pozicioni i opozitës është mjaft i ngurtë dhe përvoja më tregon se kur po u afrohemi zgjedhjeve, ndërsa zgjedhjet janë për shtatë deri në dhjetë muaj nga sot, vështirë është të ndryshoni atë qëndrim që ju sjell pikë partiake. Ky qëndrim i partisë kryesore opozitare është thjesht partiak, për të marrë vota sidomos te maqedonasit etnik", ka thënë Pendarovski në intervistën për emisionin “Triling” në Televizionin 24.

Ai nuk sheh asnjë konvergjencë dhe se qëndrimet e dy blloqeve kryesore politike në Kuvend janë aq larg njëra-tjetrës sikurse një vit më parë apo si para pesë-gjashtë muajve.

Ai konsideron se "nuk është problem, as rrezik për stabilitetin, perspektivën dhe të ardhmen e Maqedonisë që bullgarët të jenë një nga 12-13 komunitetet që t'i kemi në Kushtetutë".

"Nëse 3.500 banorë që jetojnë në Maqedoni janë problem, atëherë nuk e di se çfarë tjetër do të ishte problem real që do të na kërcënonte", ka thënë Pendarovski.

Në pyetjen se cilat do të jenë pasojat nëse deri në fund të nëntorit nuk realizohen ndryshimet kushtetuese, kreu i shtetit me përgjigje se deklaratat se mund të mbetemi në grupin apo nëngrupin e fundit të Ballkanit Perëndimor për integrim nuk është kërcënim, por vlerësim politik legjitim.

"Kohë më parë kishte deklarata nga disa aktorë politikë që pretendonin se nëse nuk vazhdojmë tani drejt integrimit në Evropë, se ndoshta disa komuna me popullsi dominuese shqiptare mund të kërkojnë rrugën e tyre drejt Evropës. Përpos që është e pamundur, këto janë deklarata të papërgjegjshme politike dhe pa nevojë trembin popullin sepse një gjë e tillë është e pamundur. Deklarata të ngjashme dëgjuam në vitin 2008 dhe 2009 lidhur me integrimet në NATO. Asnjë destabilizim i Maqedonisë nuk do të ndodhë me siguri. Nëse nuk do ndodhi në vitin 2008, kur në samitin e Bukureshtit na refuzuan anëtarësimin në NATO, nuk ka arsye as tani, nëse nuk vazhdojmë drejt Evropës, të ndodhë një destabilizim i tillë në aspektin e sigurisë", tha Pendarovski.

Por theksoi se mund të ndodhë ulje e aktivitetit ekonomik dhe siç tha ai, "të hapë derën për strukturat politike populiste dhe nacionaliste".

"Ata në fund mund të vijnë në pushtet dhe të fillojnë të zbatojnë në praktikë konceptet e tyre për BRIKS, për disa alternativa ndaj BE-së dhe aleancës perëndimore në tërësi që e dimë se ku do të na çojë. Pra, në aspektin e demokracisë mund të ngecim, siç ngecëm nga viti 2008 deri në 2016, kur Komisioni Evropian tha se Maqedonia është një shtet i kapur. Kjo mund të ndodhë edhe tani – stagnim edhe më i madh ekonomik dhe padyshim regres demokratik që janë dy parametra thelbësor për të pasur qytetarë relativisht të kënaqur", ka thënë Pendarovski.

Foto: printskrin

 

QËNDRONI TË LIDHUR