• e hënë, 23 dhjetor 2024

Pendarovski nga Tetova: Konceptet tona nuk dallojnë në nuanca, konceptet tona janë drastikisht të ndryshme

Pendarovski nga Tetova: Konceptet tona nuk dallojnë në nuanca, konceptet tona janë drastikisht të ndryshme

Tetovë, 29 prill 2024 (MIA) - Kandidati për president Stevo Pendarovski në kuadër të karvanit zgjedhor në vend realizoi takime me qytetarët e Zhelinës dhe Tetovës. Ai u tha qytetarëve të mos dekurajohen nga shifrat e rrethit të parë të zgjedhjeve presidenciale, duke theksuar se bëhet fjalë për oferta diametralisht të kundërta nga dy kandidatët për president.

"Pra bëhet fjalë për një dilemë që është thelbësore, konceptet tona nuk ndryshojnë në nuanca, konceptet tona janë të ndryshme në aspekt drastik. Ata propozojnë rishikimin e të gjitha dokumenteve mbi të cilat bazohet shteti, stabiliteti, siguria dhe prosperiteti i tij ekonomik dhe propozojnë rishikimin e të gjitha dokumenteve që na bënë anëtare të NATO-s dhe një vend që negocion me BE-në. Në të gjitha bazat, marrëdhëniet tona ndëretnike, integrimi në strukturat euroatlantike, ne ofrojmë një koncept të verifikuar, deri tani e patë ku kemi arritur. A ka qenë në nivel të kënaqshëm? Sigurisht që nuk ishte, ju e dini se kemi pasur bllokues të jashtëm nga fqinjët tanë, pengesa në çdo hap, pengesa edhe nga opozita e brendshme, opozita politike e mishëruar në partinë më të madhe opozitare", tha Pendarovski në Tetovë.

Ai ka porositur qytetarët që të mos u nënshtrohen manipulimeve politike.

"Ata që tani planifikojnë ta ridefinojnë Maqedoninë si koncept me ridefinim apo anulim, të gjitha marrëveshjet mbi të cilat mbështetet perspektiva e saj dhe tani më 8 maj kërkojnë që ju t'i jepni besimin tuaj, ndërsa jo neve. Mendoni mirë, kini parasysh interesat e fëmijëve dhe nipërve tuaj, interesat tuaja personale, interesat e familjeve tuaja, mos iu nënshtroni atij lloji të manipulimi politik që është i mundur duke hequr dorë nga partnerët tanë strategjikë, vetëm Maqedonia me 1.8 milionë banorë, të përparojë vetëm, të ofrojë siguri dhe e vetme në aspektin ekonomik të ketë shkallë të rritjes vjetore prej 7, 8, 9 për qind në nivel vjetor. Unë absolutisht pohoj se është e pamundur që shumica e qytetarëve vendas të mos e njoh racionalitetin e asaj që po them. Më pyesni për çfarëdo marrëveshje, unë kam përgjigje, ajo marrëveshje është e mirë, kjo është e mirë, kjo është e keqe... Ata nuk kanë përgjigje. I pyetni tre herë, thonë do të bëj ekip ekspertësh", theksoi Pendarovski në Tetovë.

Nga Zhelina kandidati për president Stevo Pendarovski porositi se pesë vitet e fundit është munduar të jetë korrigjues i pushtetit ekzekutiv dhe shtoi se çdo president i vendit duhet të veprojë kësisoj.

"Para jush keni dy koncepte që nuk janë aspak të afërta. Unë dhe opsioni im jemi për këtë lloj Maqedonie që e kemi me mirëkuptim dhe respekt të ndërsjellë, pa konflikte ndëretnike, opsioni tjetër është rreziku i ndarjeve dhe tensioneve, opsion me të cilin sigurisht që nuk do të përparoni", porositi Pendarovski.

Pendarovski shprehu besimin se shumica e votave që kanë përfunduar me kandidatët e eliminuar në rrethin e parë, do të përfundojë tek ai në rrethin e dytë sepse qytetarët e kuptojnë se kush punon në interes të tyre.

Foto: MIA dhe ekipi për komunikim "presidenti ynë - Stevo!"

 

QËNDRONI TË LIDHUR