• e martë, 24 dhjetor 2024

Pendarovski: Nëse nuk do të ishim në NATO dhe nuk do të ndanim informacionin në atë sistem, nuk do të mund të merreshim me propagandën ruse

Pendarovski: Nëse nuk do të ishim në NATO dhe nuk do të ndanim informacionin në atë sistem, nuk do të mund të merreshim me propagandën ruse

Shkup, 17 maj 2023 (MIA) - Presidenti Stevo Pendarovski sot mori pjesë në takimin e lidershipit të organizuar nga Qendra e Beogradit për Politikë të Sigurisë, të titulluar "Agresioni rus kundër Ukrainës: Vrull i ri për zgjerimin e BE-së?", ku foli për rëndësinë e anëtarësimit në NATO dhe ndikimin e propagandës ruse në Ballkan.

"Nëse nuk do të ishim në NATO dhe nuk do të ndanim të gjithë informacionin në atë sistem, nuk do të mund të merreshim me të gjitha propagandat e tjera dhe lajmet e rreme. Nëse e krahasojmë depërtimin e shërbimeve ruse në rajon, veçanërisht në Maqedoni, tani nuk është aq i madh në krahasim me vitin 2018, kur organizuam referendumin për anëtarësimin në NATO, dhe veçanërisht para asaj fushate, kur subjektet e huaja krijuan 35 portale interneti brenda natës në vend,  nga të cilat 2/3  kishin emra të ngjashëm me ato ekzistuese", tha presidenti në diskutim.

Për kontestin bilateral me Bullgarinë, si pengesë në integrimin tonë në BE, presidenti Pendarovski deklaroi se Bullgaria para dy vitesh e gjysmë filloi të paraqesë kërkesa që nuk kanë pikë kontakti me kriteret e BE-së.

"Filluan të flasin për identitetin etnik maqedonas, se gjuha maqedonase është dialekt i bullgarishtes, se në periudhën nga viti 1941 deri në vitin 1944 kanë qenë administratorë, e jo pushtues dhe e gjithë kjo u është shpërndarë në formë të shkruar të gjithë ambasadorëve. Një revizionizëm i tillë historik është absolutisht i papranueshëm në çdo diskutim serioz", tha presidenti Pendarovski, duke shtuar se një dialog i tillë nuk është i përshtatshëm për një shtet anëtar të BE-së.

Në diskutim morën pjesë Slavica Gërkovska, zëvendëskryeministre për politika të qeverisjes së mirë, Igor Bandoviq, drejtor i Qendrës së Beogradit për Politikë të Sigurisë, Vesela Çerneva, zëvendësdrejtoreshë e Këshillit Evropian për Marrëdhënie të Jashtme, Goran Buldioski, Drejtor i Programit për Evropë dhe Azi Qendrore të Fondit për shoqërinë e hapur dhe Sërgjan Cvijiq, kryetar i Komitetit Këshillimor Ndërkombëtar të Qendrës së Beogradit për Politikë të Sigurisë.

Qëllimi i takimeve të lidershipit është diskutimi i sfidave të rëndësishme të jashtme dhe të sigurisë me të cilat përballet rajoni, ngjarjet dhe tendencat gjeopolitike që e prekin atë, si dhe të vlerësohet e ardhmja e reformave demokratike, bashkëpunimi rajonal dhe vendi i Ballkanit Perëndimor në politikën globale. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR