• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Pendarovski kryeson delegacionin shtetëror në seancën e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara

Pendarovski kryeson delegacionin shtetëror në seancën e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara

Shkup, 17 shtator 2023 (MIA) - Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski nga nesër deri më 22 shtator 2023 do ta udhëheqë delegacionin shtetëror në seancën e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, SHBA.

Siç njoftojnë nga zyra e Pendarovskit, më 22 shtator 2023, ditën e premte, ai do të mbajë fjalim në Debatin e Përgjithshëm të sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, i cili po mbahet me temën "Rindërtimi i besimit dhe rifillimi i solidaritetit global: Përshpejtimi i veprimit për Agjendën 2030 dhe Objektivat e saj të Zhvillimit të Qëndrueshëm drejt paqes, prosperitetit, progresit dhe qëndrueshmërisë për të gjithë".

Në kuadër të pjesëmarrjes në Asamblenë e Përgjithshme të KB-së, parashihet që presidenti Pendarovski të ketë takim me Sekretarin e Përgjithshëm të KB-së, Antonio Guteresh, me ç'rast do ta dekorojë Organizatën e Kombeve të Bashkuara me Urdhrin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe çmimin do t'ia dorëzojë Sekretarit të Përgjithshëm Guteresh.

Është paralajmëruar që presidenti Pendarovski do t'i drejtohet Këshillit të Sigurimit në debatin e hapur me temë "Ruajtja e qëllimeve dhe parimeve të Kartës së KB-së përmes multilateralizmit efektiv: ruajtja e paqes dhe sigurisë në Ukrainë".

Presidenti Pendarovski do të marrë pjesë edhe në hapjen e Forumit të nivelit të lartë politik për zhvillim të qëndrueshëm nën përkujdesjen e Asamblesë së Përgjithshme dhe do të mbajë fjalim në dialogun e lidershipit "Rritja e aktiviteteve të tranzicioneve kyçe për përshpejtimin e progresit të Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm".

Gjatë pjesëmarrjes në Asamblenë e Përgjithshme të KB-së, presidenti Pendarovski do të ketë takime bilaterale me krerët e shteteve, pjesëmarrës të Asamblesë së Përgjithshme.

Në delegacionin shtetëror të Maqedonisë janë zëvendëskryeministri i Qeverisë për Çështje Ekonomike, Koordinim të Departamenteve Ekonomike dhe Investimeve, Fatmir Bytyqi dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Presidenti Pendarovski gjatë vizitës së tij të punës në SHBA do të vizitojë Nju Xhersin, ku janë paraparë takime me përfaqësues të komunitetit të Maqedonisë, si dhe do të vizitojë Çikagon, ku do të marrë pjesë në gala darkën humanitare "Rrugët drejt prosperitetit" të organizuar nga bordi i drejtorëve të "Maqedonia2025" dhe do ta dekorojë drejtorin kryesor ekzekutiv të Boing, Dejvid L. Kalhun me Urdhrin "8 Shtatori".

Gjatë vizitës së punës në SHBA, presidenti Pendarovski do të shoqërohet nga bashkëshortja e tij, Elizabeta Gjorgievska. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

 


 

QËNDRONI TË LIDHUR