• e martë, 24 dhjetor 2024

Pendarovski: I bëj thirrje BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së që të mos ngritet retorikë në bazë ndëretnike

Pendarovski: I bëj thirrje BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së që të mos ngritet retorikë në bazë ndëretnike

Shkup, 22 prill 2024 (MIA) - Kandidati për president i shtetit i mbështetur nga LSDM, Stevo Pendarovski në tubimin parazgjedhor sot pasdite në Demir Hisar ju bëri thirrje liderëve të BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së që të përmbahen nga fuqizimi i retorikës në bazë ndëretnike. Porositi se shtetit nuk i nevojitet retorika nga mitingu i djeshëm i BDI-së dhe përgjigja e partisë kryesore opozitare. 

"Ju bëj thirrje të dyja palëve, mosni dy ditë, tri ditë, pesë ditë para zgjedhjeve ta ngritni retorikën në temë ndëretnike, sepse ajo është shumë e ndjeshme, shumë shpërthyese. E dini se kishim konflikt në vitin 2001, mezi u kthyem, mezi u rimëkëmbëm, dhe në parim, nuk dua që asnjë parti politike në temën e nacionalizmit të fitoj pikë zgjedhore. Sepse - çka do të bëjmë kur do të përfundojnë zgjedhjet?", tha Pendarovski.

Sipas tij, bëhet fjalë për njerëz të cilët janë me përvojë, "të cilët nuk janë të djeshëm", por megjithatë, tha, bëjnë thirrje për arsye dhe në kthimin e asaj që është më e rëndësishme për Maqedoninë. 

"Më e rëndësishme është ekonomia dhe politika sociale dhe lufta kundër korrupsionit. Duhet ta ngritim standardin e qytetarëve dhe mos i ngritni tensionet me muhabete cili është patriot më i madh se tjetri", theksoi Pendarovski. 

Bëri thirrje që tema për atë se kush ishte fitues në konfliktin në vitin 2001 "përfundimisht të lihet mënjanë", sepse, siç tha, "në atë vit 2001 nuk kishte fitues, të gjithë ishim humbës, ndërsa Maqedonia humbësja më e madhe". 

Pas takimit me qytetarët në Demir Hisar, në ditën e fundit të fushatës zgjedhore Pendarovski sonte do ta vizitojë edhe Resnjën dhe do të flasë në mitingun qendror në Manastir. fc/

Foto/video: Ekipi për komunikime i fushatës "Presidenti ynë Stevo"

 

QËNDRONI TË LIDHUR