• e shtunë, 23 nëntor 2024

Patriarkut serb, Porfirije i ndalohet hyrja në Kosovë, reagime të ashpra nga Beogradi

Patriarkut serb, Porfirije i ndalohet hyrja në Kosovë, reagime të ashpra nga Beogradi

Prishtinë, 14 maj 2024 (MIA) - Autoritetet e Kosovës dje në pikën kufitare Merdare nuk ia kanë lejuar hyrjen Patriarkut serb Porfirije dhe prijësve tjerë të Kishës Ortodokse Serbe, të cilët po planifikonin të merrnin pjesë  në hapjen ceremoniale të seancës së rregullt vjetore të Kuvendit të KOS në Patriarkanën e Pejës.

Edhe drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka bërë të ditur se Patriarkut i është ndaluar hyrja në Kosovë siç ka thënë ai “me urdhër të drejtpërdrejtë të Albin Kurtit”.

“Patriarku serb në ora 13:30 është dashur të kalonte në vendkalimin administrativ të Merdares për të shkuar në selinë shekullore të kryepeshkopëve dhe patriarkëve serbë, por në momentin kur ishte afër kalimit, nga Prishtina ka arritur ndalesa ku thuhet se kreu i Kishës Ortodokse Serbe nuk mund të hyjë në territorin e Kosovës”, ka deklaruar dje Petkoviq.

Në komunikatë thuhet se Zyrtari Ndërlidhës i Beogradit, në përputhje me të gjitha marrëveshjet dhe procedurat në fuqi, ka dërguar një njoftim për planet e kreut të Kishës Ortodokse Serbe për të marrë pjesë në ditën e parë të Kuvendit të Kishës Ortodokse Serbe në Patriarkanën e Pejës.

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit, ka reaguar ndaj vendimit të autoriteteve kosovare, të cilat i ndaluan hyrjen në territorin e Kosovës, patriarkut serb, Porfirije.

Nga kjo dioqezë, përmes një deklarate, shprehen të acaruar se ky nuk është rasti i parë që patriarkut serb i ndalohet hyrja në Kosovë, ndërsa justifikon kërkesën për pjesëmarrjen e tij në ritualin e tyre në Patriarkanën e Pejës.

”Dioqeza e Rashkë-Prizrenit, së bashku me klerin, manastirin dhe besimtarët e saj, shpreh keqardhje të thellë për vendimin e sotëm të autoriteteve të Kosovës. Ky vendim i ndaloi Shenjtërisë së Tij Patriarkut Serb Porfirije dhe ipeshkvijve shoqërues që të hyjnë në Kosovë për të marrë pjesë me peshkopë të tjerë në Liturgjinë Hyjnore në Patriarkanën e Pejës dhe në hapjen ceremoniale të kuvendit të sivjetshëm të ipeshkvijve të kishës #ortodokse serbe”.

”Fatkeqësisht, ky nuk është rasti i parë që patriarkut tonë i ndalohet hyrja dhe pengohet vizita e tij në Patriarkanën e Pejës, selia e lashtë historike e Kishës sonë dhe shtëpia 800-vjeçare e kryepeshkopëve dhe patriarkëve ortodoksë serbë. . Patriarku Porfirije dhe peshkopët tanë ishin pritur me padurim nga besimtarët, të cilët e panë fillimin e Asamblesë së Shenjtë të Ipeshkvijve në Patriarkanën e Pejës si një mbështetje të fortë të Kishës në përpjekjet tona për të ngulmuar në këtë fushë gjatë kohëve sfiduese”, thuhet në deklaratën e Dioqezës së Rashkës dhe Prizrenit. mb/

QËNDRONI TË LIDHUR