• e hënë, 23 dhjetor 2024

Partitë opozitare shqiptare me pyetje për Xhaferin se përse nuk e vendosë në mbledhje plenare interpelancën e tyre për Joveskin

Partitë opozitare shqiptare me pyetje për Xhaferin se përse nuk e vendosë në mbledhje plenare interpelancën e tyre për Joveskin

Shkup, 4 tetor 2023 (KIA) - Deputetja e Alternativës, Safie Sadiku Shaini në emër të partive opozitare shqiptare në konferencën e sotme për shtyp informoi se ata më 14 shtator të vitit 2023 parashtruan interpelancë për punën e prokurorit shtetëror publik, Ljubomir Joveski, për, sip tha, rolin e tij në kahëzimin tjetër të procesit gjyqësor që zhvillohej lidhur me zjarrin në spitlain modular në Tetovë ku jetën e humbën 14 persona. Ajo i drejtoi pyetje kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferit, përse nuk e ka vendosur në mbledhje plenare interpelancën e tij, edhe pse, siç tha, kaloi afati i paraparë ligjor për caktim të mbledhjes prej 15 ditëve nga parashtrimi.

"Sipas Rregullores së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, më saktë nenit 47, kryetari i Kuvendit është i obliguar që interpelancën ta vendosë në rend dite të mbledhjes së ardhshme plenare në afat prej 15 ditëve nga parashtrimi. Megjithatë, kaluan 15 ditë, ndërsa kryetari i Kuvendit, z.Talat Xhaferi nuk caktoi mbledhje plenare për këtë interpelancë. Kjo na jep për të drejtë të dyshojmë se ka diçka mes tij dhe Ljubomir Joveskit, ndoshta është  e lidhur me ndonjë aferë korruptuese, sepse kryetari i Kuvendit e mbron prokurorin publik madje edhe me shkelje të Rregullores së Kuvendit të RMV-së. Me çka e shantazhon prokurori publik kryetarin e Kuvendit apo ndonjë tjetër nga partia e tij,këtë duhet ta sqarojnë ata, por se z.Xhaferi e mbron Ljubomir Joveskin, i cili në opinion shihet si fajtori kryesor për kahëzim tjetër të procesit gjyqësor për spitalin modular në Tetovë, për këtë tashmë nuk ka dyshim. Nëse nuk e vendosë në rend dite këtë interpelancë dhe nuk deklarohet se përse e shkelë Rregulloren e Kuvendit, me çka i bën shërbim të drejtpërdrejtë Ljubomor Joveskit, ne kemi të drejtë të dyshojmë se shteti i zënë rob është më i thellë se Prokuroria publike. Këmbanat bien edhe për kryetarin e Kuvendit", tha Shaini.

Ajo potencoi se për interpelancën e Joveskit nuk janë deklaruar deputetët e BDI-së dhe Aleancës për shqiptarët, pas thirrjes së tyre për t'i mbështetur.

"Kjo, përveç se i vendosë ata në bankën e fajtorëve, sepse e mbrojnë funksionarin i cili frikësohet të përballet me deputetët të cilët e kanë votuar, madje edhe kur emri i tij përmendet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, këta deputetë lënë hapësirë për të dyshuar se ata dhe liderët e partive të tyre janë të shantazhuar nga materiale në sirtarët e Joveskit. Çka i pengon deputetët e BDI-së dhe Aleancës ta mbështesin interpelancën për prokurorin publik nëse në anën tjetër ka 14 viktima të djegur në zjarr, ndërkaq asnjëri prej fajtorëve nuk ndodhet në burg? Me kë janë ata, me viktimat e ddjegura apo me Prokurorin publik? Sido që të jetë, ne do të vazhdojmë ta zhvillojmë betejën me të gjitha mjetet demokratike, ndërsa prej sot opinioni duhet saktë dhe drejtë të dijë se shërbëtorë të Ljubomir Joveskit në Kuvendin e RMV-së janë Talat Xhaferi së bashku me deputetët e BDI-së dhe ASH-së. Ata janë emrat personal të cilët nuk lejojnë të zbulohet e vërteta për djegjen e 14 pacientëve në spitalin modular në Tetovë. Le të jetë në nderin e tyre!", tha Sadiku Shaini.

Sipas deputetit të VMRO-DPMNE-së, Antonijo Milloshoski, Joveski është një prej prokurorëve më të këqinj publik dhe theksoi se në kohën e tij po mbretëron krimi dhe korrupsioni, posaçëriosht pandëshkueshmëria e fuinksionarëve të lartë nga BDI për të cilët, siç tha, ekzistojnë indikacione të fuqishme për përzoerje në korrupsion.

"Çdo ditë e kaluar me një prokuror të këtillë publik është edhe një humbje në fushën e korrupsionit të lartë në shtet", tha Milloshoski. ab/

Foto: МIА arkivi

 

QËNDRONI TË LIDHUR