• e diel, 22 dhjetor 2024

Parlamenti shqiptar e votoi Rezolutën për Kosovën

Parlamenti shqiptar e votoi Rezolutën për Kosovën

Tiranë, 12 tetor 2023 (MIA) - Kuvendi i Shqipërisë sot pasdite me 101 vota "për" e votoi Rezolutën me të cilën dënohet sulmi i 24 shtatorit në veri të Kosovës.

Për Rezolutën votuan partitë nga pushteti, demokratët nga fraksioni i Sali Berishës ndërsa nuk votuan edhe pse ishin në sallë krahu i Lulzim Bashës.

Votimit i parapriu debat pesëorësh, në disa momente i tensionuar, si dhe përrgjigje të kryeministrit Edi Rama për pyetje për dhe rreth Kosovës, qëndrime dhe deklarata të tij.

Sot dokumenti i votuar në Kuvend, i cili pas një periudhe të gjatë i bashkoi opozitën dhe shumicën, përbëhet nga tri pika. 

Mbështet plotësisht dhe njëzëri Rezolutën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, miratuar në seancën e tij plenare të datës 28 shtator 2023. Kërkon nga institucionet kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, që në të gjitha instancat ndërkombëtare sikurse dhe në kontaktet bilaterale me partnerët tanë të angazhohen fuqimisht dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për mundësimin e një hetimi ndërkombëtar lidhur me aktin terrorist në veri të Kosovës. Inkurajon Qeverinë e Republikës së Kosovës që të punojë krah për krah dhe të bashkohet pa rezerva me aleatët e saj strategjikë, Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në funksion të procesit për arritjen e një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe njohjen përfundimtare të Kosovës prej saj.

Rezoluta, siç bëhet e ditur, është në përputhje me dispozitat kushtetuese të Republikës së Shqipërisë dhe politikës së mbrojtjes së interesave të përbashkëta strategjike kombëtare mes Shqipërisë dhe Kosovës. fc/

Fotografia: Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

QËNDRONI TË LIDHUR