Parlamenti francez miraton buxhetin e vitit 2026, qeveria e Lekorit i mbijeton dy votimeve të tjera për mosbesim
- Qeveria e pakicës e kryeministrit francez Sebastijan Lekorni sot i mbijetoi dy votimeve të tjera të mosbesimit, duke i dhënë fund një mosmarrëveshjeje disamujore rreth buxhetit të vitit 2026.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 21:44, 2 shkurt, 2026
Paris, 2 shkurt 2026 (MIA) - Qeveria e pakicës e kryeministrit francez Sebastijan Lekorni sot i mbijetoi dy votimeve të tjera të mosbesimit, duke i dhënë fund një mosmarrëveshjeje disamujore rreth buxhetit të vitit 2026.
Në të dyja votimet vetëm 260, gjegjësisht 135 nga 577 deputetë në Kuvendin Kombëtar votuan kundër kabinetit të qendrës së majtë të Lekornit, raportoi DPA.
Mossuksesi i propozimeve për mosbesim do të thotë se buxheti i vitit 2026 është miratuar zyrtarisht.
Votim për mosbesim i kërkuan nacionalistët e krahut të djathtë të Marine Le Pen nga njëra anë, dhe nga të majtët, të Gjelbrit dhe komunistët nga ana tjetër.
Përpjekja e tyre për të rrëzuar qeverinë është një reagim ndaj Lekornit që shtyu buxhetin e këtij viti përmes sallës parlamentare duke përdorur një nen të veçantë të Kushtetutës pa një votim përfundimtar, pas përpjekjeve të pafrytshme për kompromis, raportoi agjencia gjermane.
Lekorni tashmë ka siguruar mbështetjen e socialistëve me lëshime në buxhet.
Sipas tekstit që është miratuar tani, deficiti buxhetor duhet të ulet në pesë për qind të prodhimit të brendshëm bruto.
Edhe pse fillimisht kishte qëllime më ambicioze për buxhetin për kursim, fakti që Franca me borxhe të larta më në fund po merr një buxhet pas një vonese të gjatë ka të ngjarë të mirëpritet nga bizneset dhe vendet partnere të BE-së, siç është Gjermania. Kjo u siguron kompanive qartësi për investime dhe punësime, ndërsa sektori publik mund të investojë përsëri, kujton DPA.
Perspektiva e Parisit për të zgjidhur problemet e saj me borxhin është gjithashtu një sinjal pozitiv për Bashkimin Evropian, ku për momentin është në vijim procedurë kundër Francës për deficitin e saj.
Lekorni dhe qeveria e tij javëve të fundit kanë mbijetuar tashmë katër votime për mosbesim, për të gjitha pjesët e buxhetit.
Paraardhësit e Lekornit, Fransoa Bajru dhe Mishel Barnie, u detyruan të heqin dorë nga funksioni për shkak të mosmarrëveshjeve për buxhetin.
Tani, Lekorni mund ta kthejë vëmendjen e tij në çështje të tjera. Ndër të tjera, ka të ngjarë të ketë një rikonstruktim të vogël të qeverisë, sepse disa anëtarë të kabinetit, siç është ministrja e Kulturës Rashida Dati, kandidohen në zgjedhjet lokale franceze në mars, kujton DPA.
Foto: DPA