Para shtëpisë së vrasjeve në Prilep policia pati shkëmbim të shtënash me vrasësin
- Tragjedia e madhe që e tronditi opinionin në të cilën mbrëmë u vranë babë e bir, 43 dhe 11 vjeç, ndërsa i afërmi i tyre që i vrau më pas kreu vetëvrasje, është zhvilluar shkëmbim zjarri me policinë, sepse kryesi nuk ka dashur të dorëzohet.
- Post By Arta Bunjaku
- 13:04, 13 korrik, 2025
Prilep, 13 korrik 2025 (MIA) - Tragjedia e madhe që e tronditi opinionin në të cilën mbrëmë u vranë babë e bir, 43 dhe 11 vjeç, ndërsa i afërmi i tyre që i vrau më pas kreu vetëvrasje, është zhvilluar shkëmbim zjarri me policinë, sepse kryesi nuk ka dashur të dorëzohet.
Siç informoi Sanja Stamatova, zëdhënëse e SPB Manastir, policia ka arritur menjëherë pasi që bashkëshortja dhe nëna e shqetësuar e të vrarëve është paraqitur mbrëmë në orën 21:20 se me orë të tëra mungojnë të afërmit e saj dhe konsideron se janë tek daja i bashkëshortit, qytetari 63-vjeçar i Prilepit me inicialet P.GJ.
"Nëpunësit policorë kryen kontroll në shtëpinë e kryesit, por askush nuk e ka hapur derën. Me urdhër të prokurorit publik, nëpunësit policorë me përdorimin e forcës, e kanë hapur derën dhe kur kanë hyrë në shtëpi, një perosn ka hedhur bombë në drejtim të tyre e cila ka filluar të tymojë, por nuk ka shpërthyer. Pasi që nëpunësit policorë kanë dalë nga shtëpia, ka pasur të shtëna drejt tyre, ndërkaq ata janë kundërpërgjigjur me armë zyrtare, duke shtënë në drejtim të shtëpisë", deklaroi Stamatova.

Sipas SPB Manastir, mbrëmë rreth orës 1:35 pas mesnate, mjeku i Ndihmës së shpejtë nga Prilepi e ka konstatuar vdekjen si pasojë e plagëve nga arma e zjarrit tek P.Ç., tek 63-vjeçari P.GJ. dhe tek i mituri 11-vjeçar.
Policia po ndërmerr masa për ndriçimin e rastit.
Siç informoi prokurori publik i Prilepit, Stevço Binoski, dje pasdite rreth orës 15 deri në orën 16, 43-vjeçari P.Ç. ka shkuar tek daja i tij, qytetari 63-vjeçar i Prilepit me inicialet P.GJ. dhe me vete e ka pasur edhe djalin 11-vjeçar për t'i përmirësuar raportet të cilat ishin çrregulluar për shkak të gjendjeve pronësore-juridike. Nuk dihet se çfarë ka ndodhur me orë të tëra në shtëpi, por Binoski thotë se deri në arritjen e policisë 43-vjeçari dhe i biri i tij kanë qenë të vdekur, të qëlluar nga pistoleta.
Me ardhjen e policisë, kryesi nuk ka dashur të dalë, së pari ka hedhur bombë, ndërsa më pas është thirrur edhe njësia "Tigrat" pranë MPB-së. Pasi që policia ka hyrë në shtëpi, i ka gjetur tre trupat e pajetë.
Është urdhëruar obduksioni i kufomave për ndriçim të rastit.
Në rrjetet sociale kryesi i ka përmendur motivet për tragjedinë e madhe. ab/
Fotо: МIА