• e shtunë, 22 shkurt 2025

Palevski sërish kërkon përjashtimin e prokurorëve nga rasti i vrasjes së Vanjës dhe Pançes

Palevski sërish kërkon përjashtimin e prokurorëve nga rasti i vrasjes së Vanjës dhe Pançes

Shkup, 14 shkurt 2025 (MIA) - Lupço Palevski Palço, i akuzuar për vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovskit, në fillim të gjykimit të sotëm kërkoi përjashtimin e prokurorëve publikë nga procesi, Zhaklina Krstevska Josifovska dhe Ana Stojkoviq Dimitrievska dhe kreun e PTHP-së Shkup Gavril Bubevski.

Arsyet pse Palevski kërkon përjashtim janë, siç tha ai, shpërdorimi i pushtetit dhe paanshmëria.

"Rrethanë e re për përjashtimin e prokurorëve publikë është falsifikimi i të dhënave që të mund të përgatisin prova të falsifikuara me numër rendor 180, analizë telefonike nga 13.5.2024, me qëllim që dëshmitari i tyre Eroll Osmani të gënjejë nën betim në gjykatë", tha Palço.

Ai pretendoi se në kohën kur dëshmitari pohoi se po riparonte një kaldajë, ai ishte drejtpërdrejt në një podkast.

Ai ka dorëzuar në gjykatë një raport nga Telekomi i Maqedonisë dhe stacionet bazë me gjithsej 120 faqe për periudhën nga 10 shtator 2023 deri më 10 dhjetor 2023, përmes të cilit ka treguar se nuk ka të dhëna për stacionet bazë për telefonin e tij.

"Pse vetëm të dhënat e mia kontestohen nga PTHP Shkup dhe pse PTHP Shkup i fshin dhe manipulon të dhënat", tha ai.

Dëshmia më e rëndësishme që tregon pse stacionet e tij bazë u fshinë dhe manipuluan më 28 nëntor 2023, siç tha ai, është se pas podkast-it, në bllokimin më të madh të trafikut, ai ishte me një Fiat Doblo që shkonte drejt Autokomandës.

"Ka komunikim me vajzën time ku mund të shihni që në orën 14:55 minuta pas podkast-it dërgoj një mesazh duke thënë se jam 5 minuta vonë. Unë jam duke përdorur internetin 5G në këtë komunikim, kështu që nuk ekziston në raport", shtoi ai.

Gjykimi vazhdoi me prezantimin e provave materiale të gjetura në vendin e vrasjes, si dhe raportet nga analizat e aparateve komunikuese të Palevskit.

Paraprakisht Prokuroria ka paraqitur video-materiale që tregojnë lëvizjen e mjeteve me të cilat u rrëmbye Vanja.

Në këtë rast janë akuzuar Lupço Palevski, Bore Videvski, Velibor Manev dhe Vlatko Keshishov, si dhe babai i vajzës, Aleksandar Gjorçevski, të cilët janë deklaruar të pafajshëm.

Sipas aktakuzës, ata bashkërisht kishin planifikuar rrëmbimin e vajzës 14-vjeçare në mënyrë që të detyronin një anëtar të familjes së saj të ngushtë të siguronte para për ryshfet. Ndërkaq, rrëmbimi i të dëmtuarit, Pançe Zhezhovski, në Veles ka qenë me qëllim që ta detyrojnë që t'ua japë automjetin e tij Citroen në mënyrë që ta përdorin për ta rrëmbyer fëmijën në Shkup.

Vanja e mitur dhe banori i Velesit Pançe, të cilët u raportuan të zhdukur më 27 dhe 24 nëntor, u gjetën të vdekur në afërsi të Shkupit dhe Velesit më 3 dhjetor të vitit 2023. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR