• e shtunë, 28 shtator 2024

Përgjigja e Izraelit ndaj Iranit do ta shtyjë Lindjen e Mesme në një konflikt më të madh

Përgjigja e Izraelit ndaj Iranit do ta shtyjë Lindjen e Mesme në një konflikt më të madh

17 prill 2024

En-Bi-Si / Beta

Analistët paralajmërojnë se Izraeli, nëse vendos të hakmerret kundër Iranit, mund të shtyjë të gjithë Lindjen e Mesme në luftë, raporton sot TV amerikan En-Bi-Si (NBS).

Konflikti i ashpër i Izraelit me Iranin ka qenë prej kohësh i kufizuar në atentate të fshehta, sulme të ulëta kibernetike, sabotim të programit bërthamor të Iranit dhe luftim përmes ndërmjetësuesve. Por kjo luftë kryesisht e fshehtë, u bë e hapur, gjatë fundjavës me sulmin me dron dhe raketa të Teheranit ndaj Izraelit.

Sulmi i paprecedentë i drejtpërdrejtë i Republikës Islamike ndaj shtetit hebre, në përgjigje të sulmit vdekjeprurës të Izraelit ndaj konsullatës iraniane në Siri, ka bërë që SHBA-ja dhe aleatët e saj të shmangin një konflikt më të gjerë ndërsa bota pret të shohë se çfarë do të ndodhë më pas.

Kabineti ushtarak i kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu u takua të hënën për të vlerësuar opsionet e tij. Udhëheqësit perëndimorë bënë thirrje për përmbajtje dhe presidenti amerikan Xho Bajden paralajmëroi homologun e tij izraelit kundër sulmit ndaj Iranit dhe e bëri të qartë se Uashingtoni nuk do të përfshihej në një kundërsulm. Megjithatë, një zyrtar izraelit deklaroi për En-Bi-Si- në, se një përgjigje mund të jetë "e pashmangshme".

Ndërsa Izraeli, Shtetet e Bashkuara dhe forcat e tjera aleate kanë rrëzuar pothuajse të gjithë dronët dhe raketat iraniane të përdorura në sulm, pasojat e sulmit janë ende të mëdha. Në sytë e disa skifterëve të politikës së jashtme, sulmi ndaj Iranit mund të shihet si një provokim serioz që kërkon një përgjigje të ashpër. Por analistë të tjerë paralajmërojnë se nëse Netanjahu vendos të kundërpërgjigjet fuqishëm, kjo mund të zhysë Lindjen e Mesme më të gjerë në një luftë mes fushatës shkatërruese disamujore ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës.

Gjërat po ndërlikohen dhe qëllimet e Iranit nuk janë plotësisht të qarta. Pas sulmit të Izraelit, disa analistë argumentuan se bombardimi ajror dukej se ishte kryer kryesisht për të forcuar pozicionin e qeverisë kundër forcave vendase të vijës së ashpër dhe për të penguar armiqtë në rajon, por në mënyrë të kalibruar për të shmangur një luftë më të gjerë.

“Irani e kupton se është relativisht i dobët në rajon, kështu që i është dashur të sigurohet që veprimi që ndërmerr të jetë mjaftueshëm domethënës për të dërguar një mesazh shumë të fortë, por jo aq i suksesshëm sa të bëjë thirrje për hakmarrje jo vetëm nga Izraeli, por edhe nga Aleatët e Izraelit" , tha Roxher Shanahan, analist i Lindjes së Mesme me seli në Australi.

Uilliam F. Ueksler, drejtor i programit të Lindjes së Mesme në Këshillin Atlantik, një institut studimor për çështjet ndërkombëtare, argumentoi në mënyrë të ngjashme se natyra e veprimit të Teheranit flet vetë.

“Irani ka dërguar një sinjal të pagabueshëm se dëshiron të shmangë përshkallëzimin e mëtejshëm që mund të shkaktojë një luftë të vërtetë rajonale”, tha Ueksler në analizë. "Ai zgjodhi një sulm me rreze të gjatë që mund të kapej lehtësisht nga mbrojtjet e njohura izraelite dhe nuk synonte objektet amerikane."

Teherani, i cili nuk e njeh zyrtarisht ekzistencën e Izraelit dhe ka mbrojtur prej kohësh kauzën palestineze dhe ka festuar sulmin e Hamasit të 7 tetorit ndaj Izraelit jugor si një "fitore", punoi për ta portretizuar sulmin e tij fundjavën e kaluar si një reagim "legjitim" dhe "përgjegjës" të Izraelit, i cili bombardoi konsullatën iraniane në Siri. Perëndimi duhet të jetë "mirënjohës" për përmbajtjen e Iranit, tha të hënën zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Naser Kanaani.

Megjithatë, disa në Teheran e përshkruan sulmin iranian si më drastik. “Ne vendosëm të krijojmë një ekuacion të ri” në marrëdhëniet me Izraelin, tha shefi i Gardës Revolucionare.

Izraeli ka luftuar armikun e tij kryesor, Iranin përmes operacioneve të fshehta dhe përmes shteteve përfaqësuese, si dhe ka paralajmëruar Teheranin për qëllimet e tij ndërsa Irani zhvillon programin e tij bërthamor. Irani ka këmbëngulur prej kohësh që programi i tij bërthamor është paqësor, por Izraeli e kundërshton këtë.

Nëpërmjet përfaqësuesve të tij, kryesisht Hezbollahut, një parti politike dhe grup militant i fuqishëm dhe i armatosur mirë në Liban, Irani sulmoi Izraelin. Por, sipas En-Bi-Si-së, para të dielës, asnjëra palë nuk kishte sulmuar hapur dhe drejtpërdrejt tjetrin brenda vendit.

“Rajoni po hyn në një zonë të paeksploruar ku nuk zbatohet paradigma e mëparshme strategjike dhe rregullat e angazhimit”, tha Amal Saad, pedagoge në Universitetin britanik të Kardifit në një postim në platformën X. “Çfarëdo që të bëjë Izraeli, nuk ka kthim në statusin e mëparshëm”, thotë Saad.

Udhëheqësit perëndimorë duan që Izraeli të tregojë përmbajtje në përgjigje të sulmit të Iranit

Zyrtarët amerikanë, për EN-BI-SI-në deklaruan se Uashingtoni ishte i shqetësuar se Izraeli mund të përgjigjej shpejt pa menduar për pasojat e mundshme. Ndërkohë që Bajden i tha Netanjahut se SHBA-ja nuk do të merrte pjesë në operacionet sulmuese kundër Iranit, tha një zyrtar i lartë i administratës.

Irani e ka parë prej kohësh arsenalin e tij raketor si një kartë parandaluese dhe si një kërcënim për kundërshtarët e tij, por suksesi i Izraelit në mbrojtjen e qindra raketave iraniane ka ngritur dyshime për aftësitë ushtarake të Teheranit. Në një editorial për “Uolstrit Xhurnal”, ish-komandanti i Komandës Qendrore të SHBA-së argumentoi se sulmi iranian ishte një shfaqje dobësie.

"Cenueshmëria e forcave iraniane është ekspozuar dhe pasoja është se regjimi është dobësuar rëndë," shkroi gjenerali i marinës në pension Kenet F. Mekenzi Junior. "Izraeli u inkurajua nga një shfaqje mahnitëse e aftësisë së tij ushtarake në kontrast të plotë me atë të parë më 7 tetor" - kur u sulmua nga Hamasi palestinez.

Sulmi i vitit 2019 ndaj Arabisë Saudite nga forcat e Huthëve të mbështetura nga Irani, për të cilin SHBA-ja dhe Izraeli fajësuan Iranin, ishte shumë më efektiv. Në atë sulm, për të cilin Irani ka mohuar

përgjegjësinë, dronët goditën objektet kryesore të naftës në Arabinë Saudite, duke shkelur sistemet e mbrojtjes ajrore të prodhuara nga SHBA-ja. Rasti ka ngritur shqetësime në Uashington dhe në rajon se flotat e raketave dhe dronëve të Iranit përbëjnë një kërcënim në rritje.

Në shumë aspekte, Irani dhe Izraeli kanë qenë në një kurs përplasjeje për gati gjysmë shekulli

Izraeli dhe Irani kanë qenë armiq që nga Revolucioni Islamik në fund të viteve 1970. Regjimi teokratik i Iranit është zotuar se do ta fshijë shtetin hebre nga harta, ndërsa Izraeli dhe SHBA-ja kanë akuzuar prej kohësh Teheranin për financimin e organizatave terroriste dhe përfaqësuesve të tij të armatosur në Lindjen e Mesme, duke përfshirë Hamasin dhe Hezbollahun.

Por armiqësia mes Izraelit dhe Iranit nuk është rritur kurrë në nivelin e një konfrontimi ushtarak ballë për ballë. Në vend të kësaj, të dy vendet filluan sulme të fshehta ndaj njëri-tjetrit në tokë, det, ajër dhe hapësirën kibernetike.

Irani synon në mënyrë rutinore Izraelin përmes "boshtit të tij të rezistencës" - një rrjet që shtrin ndikimin e Teheranit në të gjithë botën arabe.

Ndërsa Irani ka mohuar se ka pasur ndonjë rol në sulmin terrorist të Hamasit të 7 tetorit ndaj Izraelit, dhe një zyrtar i lartë i Hamasit tha se Irani nuk e urdhëroi apo aprovoi operacionin, si Izraeli ashtu edhe Shtetet e Bashkuara thonë se Teherani ishte bashkëpunëtor në sulmin sepse për vite me radhë ka armatosur dhe trajnuar Hamasin.

Pas 7 tetorit, Izraeli arriti në përfundimin se shënjestrimi i tij i mëparshëm i dërgesave të armëve iraniane për Hezbollahun në Liban dhe veprime të tjera të fshehta nuk kishin arritur të pengonin mjaftueshëm Iranin, duke e shtyrë Izraelin këtë muaj të sulmonte oficerët e Gardës Revolucionare në një kompleks diplomatik në Damask, deklaruan ish-zyrtarë amerikanë dhe ekspertë rajonalë.

Është e rrallë që Irani të sulmojë kaq drejtpërdrejt, madje edhe kur komandantët e tij të lartë janë eliminuar. Në vitin 2020, kur Shtetet e Bashkuara vranë gjeneralin e fuqishëm të Teheranit, Kasem Sulejmanin, me një dron në Bagdad, Irani iu kundërpërgjigj me një sulm me raketa në bazat irakiane që strehonin trupat amerikane, duke plagosur 100 njerëz.

Lufta në Gazë ka ngritur tensionet midis Iranit dhe Izraelit në një nivel të ri, përpara një sulmi izraelit në kompleksin diplomatik të Teheranit në Damask më 1 prill, ku humbën jetën të paktën shtatë oficerë ushtarakë iranianë, duke përfshirë dy komandantë të lartë.

Irani premtoi hakmarrje dhe e përmbushi atë premtim të shtunën. Tani pyetja është se si do të vendosë të përgjigjet Izraeli – konkludon En-Bi- Si.

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR