• e hënë, 23 dhjetor 2024

Përfundoi procedura dëshmuese për “Llaskarcën”, fjalët përmbyllëse të prokurorisë më 14 dhjetor

Përfundoi procedura dëshmuese për “Llaskarcën”, fjalët përmbyllëse të prokurorisë më 14 dhjetor

Shkup, 21 nëntor 2023 (MIA) - Në Gjykatën themelore penale Shkup, sot ka përfunduar procedura dëshmuese për rastin “Llaskarcë”, që ka të bëjë me aksidentin e autobusit, në të cilin humbën jetën 16 persona dhe rreth 30 u lënduan. Fjalët përmbyllëse të prokurorit publik janë caktuar për 14 dhjetor. Mbrojtja e të pandehurve pastaj do të duhet të japë fjalën përfundimtare, pas çka Gjykata duhet të caktojë shpalljen e aktgjykimit.

Prokurori publik Darko Jakimovski në seancën e sotme ka sqaruar aktakuzën, me ç'rast tha se për asnjë nga të pandehurit nuk ka ndryshim në kualifikimin e veprës.

Sqarimi, sipas prokurorit, është bërë në bazë të provave të paraqitura në seancën kryesore dhe në atë pjesë është saktësuar përshkrimi në drejtim të zhvillimit kronologjik dhe lëshimeve që qëndrojnë në anën e të akuzuarve.

Të akuzuar në rastin e aksidentit në afërsi të Llaskarcës, që ndodhi më 13 shkurt të vitit 2019, ku humbën jetën 16 persona dhe u lënduan rëndë mbi 30, janë Durmish Beluli, pronar i kompanisë “Durmo Turs”, personi përgjegjës për transport në kompani, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoil Trifunovski, të cilët akuzohen për vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion. Ndërkaq për të njëjtën vepër akuzohen edhe tre punonjësit e stacionit për kontroll teknik, Igor Gjorgjievski, Goran Dukovski dhe Jane Bovarski.

Gjykimi ka filluar në vitin 2019 dhe vazhdon katër vjet.  Vitin e kaluar, seancat ishin për superekspertizën që Gjykata urdhëroi në dhjetor të vitit 2021, e cila ishte refuzuar nga fakultetet e shtetit, me arsyetimin se ekspertët e tyre tashmë kanë marrë pjesë në ekspertizën e mëparshme, ose nuk janë kompetentë për të njëjtën gjë, me të cilën Byroja për ekspertizë ligjore më pas formoi një ekip të licencuar ekspertësh, të cilët përgatitën një superekspertizë, e cila arriti në Gjykatën penale pas një viti, në dhjetor të vitit 2022.

Mbrojtësi i të akuzuarit Igor Dukovski, avokati Sasho Dukoski, në deklaratë për media pas seancës së sotme, tha se superekspertiza, siç tha ai, ka paraqitur kulm të procedurës dëshmuese.

"Superekspertiza ka paraqitur kulm të procedurës dëshmuese dhe u vërtetua ajo që pohojmë që nga fillimi, se ky aksident trafiku ka ndodhur vetëm dhe vetëm për faj dhe vëmendje të pamjaftueshme nga ana e shoferit", tha ai.

Nga ana tjetër, mbrojtësi i disa të lënduarve, avokati Vlladimir Nikoloski nga Gostivari, tha se mendon se gjërat tashmë janë sqaruar me ekspertizat e para.

Sipas prindit të njërit prej viktimave, Gjykata, siç tha, "po blinte kohë" me superekspertizën.

"Të mos ishin presionet tona, nga prindërit dhe të lënduarit, kjo nuk do ndodhte asnjëherë. Gjykata vetëm blinte kohë dhe nuk tregonte asgjë të re ose dëshmi shtesë nga superekspertiza", tha prindi.

Sipas tij, superekspertiza ka tentuar t'ia hedh fajin shoferit.

Procedurën e udhëheq gjykatësja Diana Gruevska Ilievska. ss/bsh/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR