• e hënë, 23 dhjetor 2024

Përfundoi kryesimi njëvjeçar me PBEJL-në - Tirana si kryesuese e ardhshme do të vazhdojë ta ndajë vizionin evropian për rajonin

Përfundoi kryesimi njëvjeçar me PBEJL-në - Tirana si kryesuese e ardhshme do të vazhdojë ta ndajë vizionin evropian për rajonin

Shkup, 13 qershor 2024 (MIA) - Përfundoi kryesimi njëvjeçar i Republikës së Maqedonisë së Veriut me Procesin për Bashkëpunim në Evropën Juglindore (PBEJL). Kryesuesi i PBEJL-së dhe ministri teknik për Punë të Jashtme, Bujar Osmani, në konferencën e sotme për media, vlerësoi se vendi e përfundoi me sukses kryesimin me Procesin, duke arritur konsensus për dy çështje të rëndësishme.

Osmani informon se në Samitin e sotëm për postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal është nominuar kandidati i Sarajevës, Amir Kapetanoviq.

"Suksesi që arritëm me dy çështjet më të rëndësishme i tejkaloi edhe pritshmëritë tona. Arritëm konsensus dhe emëruam kandidatin e Sarajevës, Amir Kapetanoviq, për pozitën e sekretarit të përgjithshëm të Këshillit për Bashkëpunim Rajonal dhe Komiteti i Drejtorëve Politikë arriti konsensus për deklaratën e Samitit të Shkupit, e cila u mbështet nga ministrat dhe do të vazhdojë të miratohet nga përfaqësuesit e pranishëm në Samitin e sotëm. Dëshiroj t'ju siguroj se kryesia e Shkupit mbeti plotësisht e përkushtuar ndaj asaj që dukej si një detyrë sizifiane, emërimit të sekretarit të përgjithshëm deri në fund të kryesimit sonë. Kandidaturat që u prezantuan në thirrjen e hapur ishin të jashtëzakonshme, të gjithë u treguan të denjë për detyrën dhe kishin kualifikime të pabesueshme, kjo na e vështirësoi edhe më shumë detyrën", tha Osmani.

Duke marrë parasysh ciklet e fundit të zgjerimit të BE-së, Osmani thotë se anëtarësimi në Union nuk ka alternativë. Ai shtoi se rajoni duhet të zgjedhë diplomacinë mbi dhunën, si dhe të punojë në ndërtimin e një procesi të qëndrueshëm që do ta bëjë arkitekturën evropiane më të fortë.

"Nuk ka alternativë për anëtarësimin në BE, duke marrë parasysh ciklet e fundit të zgjerimit të Unionit, të cilat konfirmojnë se stabiliteti i vendeve aderuese po përmirësohet. Është thelbësore që ne të dyfishojmë përpjekjet tona dhe të komunikojmë ndikimet pozitive të zgjerimit, si dhe zbatimin e reformave të besueshme dhe fqinjësisë së mirë. Rajoni duhet të zgjedhë diplomacinë në vend të dhunës dhe të punojë në ndërtimin e një procesi të qëndrueshëm që do ta bëjë më të fortë arkitekturën evropiane", tha Osmani.

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Artemis Malo, sot në emër të qeverisë shqiptare shprehu bindje se Tirana, si kryesuese e ardhshme me PBEJL-në, njeh rëndësinë e Procesit dhe do të vazhdojë të ndajë vizion kolektiv për të ardhmen evropiane të rajonit.

"Në këtë moment shumë të rëndësishëm, dëshiroj të rikonfirmoj angazhimin politik të Shqipërisë për marrjen e Presidencës së katërt të Tiranës me PBEJL-së, nën moton "Duke formësuar të ardhmen evropiane". Ne do të mbetemi plotësisht të përkushtuar për të kontribuar në forcimin e bashkëpunimit rajonal, rritjen e bashkëpunimit dhe zbatimin e tregut të përbashkët rajonal. Duke njohur rëndësinë e PBEJL-së në avancimin e bashkëpunimit rajonal, promovimin e rritjes ekonomike dhe infrastrukturës së sigurisë dhe ndihmën e procesit të integrimit evropian, ne pranojmë se PBEJL-ja udhëheq rrugën drejt pajtimit, besimit, ndërtimit të sigurisë dhe prosperitetit në rajon. Në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare, më lejoni të theksoj se duke ndarë vizionin tonë kolektiv për të ardhmen evropiane të rajonit dhe duke respektuar diversitetin dhe vlerat e përbashkëta të secilit pjesëmarrës në proces, ne jemi të bindur se pjesëmarrësit e PBEJL-së do të vazhdojnë të përpiqen për aspiratat evropiane të BE-së", tha Malo. sa/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR