• e hënë, 23 dhjetor 2024

Për pesë muaj Shqipërinë e kanë vizituar 3,3 milionë turistë ose 38 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar

Për pesë muaj Shqipërinë e kanë vizituar 3,3 milionë turistë ose 38 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar

Tiranë, 7 qershor 2024 (MIA) - Rreth 974 mijë turistë të huaj e kanë vizituar Shqipërinë gjatë muajit maj, duke e çuar numrin total në mbi 3,3 milionë në pesë muajt e parë të vitit.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Jetësor, Mirella Kumbaro, sot i publikoi shifrat, duke theksuar se me afrimin e pikut të sezonit turistik, përgjegjësia dhe vëmendja institucionale është të prezantohet më e mira nga oferta turistike shqiptare nën sloganin “Albania All Senses”.

"Gjatë muajit maj na vizituan rreth 270 mijë turistë më shumë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, me çka numri i turistëve në pesë muajt e parë u rrit në 3,3 milionë ose 38 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2023. Me afrimin e pikut të sezonit turistik bregdetar, ne forcojmë të gjithë vëmendjen institucionale dhe shpirtin e mikpritjes për të prezantuar më të mirën e "AlbaniaAllSenses", tha ministrja Kumbaro në një video postim në Fejsbuk.

Krahas shërbimeve dhe inspektorateve të tjera, ministrja Kumbaro zhvillon rregullisht ture në bashkitë bregdetare me qëllim monitorimin e përmbushjes dhe respektimit të standardeve, pastërtisë, hapësirave publike dhe sigurisë në turizëm.

Ajo, në bregdet, vizitoi edhe disa klinika shëndetësore, nga gjithsej 34, aq sa janë vënë tashmë në shërbim të turistëve.

Vitin e kaluar Shqipëria regjistroi një frekuentim rekord prej mbi 10 milionë turistësh, që është mbi 2,5 milionë më shumë se një vit më parë. ls/

 

QËNDRONI TË LIDHUR