• e diel, 22 dhjetor 2024

Përçarje në ASH, Taravari thotë se ka marrë mbështetje nga 80 anëtarë nga gjithsej 133 sa numëron Kuvendi i partisë

Përçarje në ASH, Taravari thotë se ka marrë mbështetje nga 80 anëtarë nga gjithsej 133 sa numëron Kuvendi i partisë

Shkup, 4 shkurt 2024 (MIA) - Pasi kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari dje publikisht kërkoi që organet partiake të sjellin vendim për pjesëmarrje në zgjedhjet e ardhshme bashkë me opozitën shqiptare, për 24 orë bëhet e ditur se janë mbledhur nënshkrime për mbështetje nga 80 nga gjithsej 133 anëtarë sa numëron Kuvendi i partisë.

"Nisma e kryetarit Taravari merr mbështetjen e shumicës së kuvendarëve të ASH-së. Për 24 orë janë mbledhur 80 nënshkrime të kuvendarëve në mënyrë vullnetare nga gjithsej 133 sa numëron Kuvendi, ndërsa procesi i mbledhjes së nënshkrimeve po vijon. Shumica e Kuvendit të Aleancës për Shqiptarët është qartë për ndryshimin e sigurt. Kryetari Taravari bën thirrje për urtësi, maturi dhe unitet që BDI përfundimisht të dërgohet në opozitë. Ndryshimi po vjen!", theksohet në publikimin në Fejsbuk të Taravarit.

Ndërkohë, sonte në selinë e partisë në Tetovë, konferencë shtypi ka mbajtur kryetari i Kuvendit të ASH-së, Ziadin Sela.

Kryetari i kësaj partie, Arben Taravari mbrëmë informoi se ASH do t'i bashkëngjitet frontit të opozitës shqiptare. Taravari mori mbështetjen e ministrit të Shëndetësisë Fatmir Mexhiti dhe atij për Shoqëri Informatike dhe Administratë Azir Aliu, ndërsa u kundërshtua nga ish kryetari i partisë Ziadin Sela, ministri i Drejtësisë Krenar Lloga dhe nënkryetarja Ilire Dauti. Ata e akuzuan Taravarin se si individ nuk mund të vendos për hapat e partisë, por organet partiake.

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR