• e hënë, 23 dhjetor 2024

Osmani: Qeveria e ardhshme nuk ka përgjegjësi ndaj Marrëveshjes së Prespës, por ka detyrim ta respektojë

Osmani: Qeveria e ardhshme nuk ka përgjegjësi ndaj Marrëveshjes së Prespës,  por ka detyrim ta respektojë

Shkup, 13 qershor 2024 (MIA) - Marrëveshja e Prespës është shumë më tepër se vetëm një marrëveshje për emrin. Është një marrëveshje partneriteti strategjik. Shtylla e detyrimeve greke nga Marrëveshja e Prespës është mbështetja për NATO-n dhe integrimin evropian. Qeveria e ardhshme nuk ka asnjë detyrim, asnjë përgjegjësi në lidhje me Marrëveshjen e Prespës. Nuk e kanë votuar, nuk e kanë mbështetur, por e kanë detyrim ta respektojnë. Është një marrëdhënie shtetërore, tha sot ministri i Punëve të Jashtme dhe kryesues aktual i Procesit për Bashkëpunim të Evropës Juglindore (PBEJL), Bujar Osmani.

Osmani, sot duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve lidhur me Marrëveshjen e Prespës, pas konferencës së përbashkët për media me kryesuesin e ardhshëm të Procesit, në kuadër të takimit të ministrave të jashtëm, konfirmoi se ka pasur një takim me zëvendësministren e jashtme të Greqisë në nivel dypalësh, ndërsa mëngjesin e sotëm ai ka zhvilluar edhe një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Jorgos Gerapetritis.

"Me Gerapetritisin diskutuam për përkushtimin e dy vendeve jo vetëm për zbatimin e marrëveshjeve, por edhe mbështetjen që Athina zyrtare i jep integrimeve euroatlantike, përkatësisht integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Ne patëm një bisedë të mirë, konstruktive në të cilën shkëmbyem mendime se bashkëpunimi rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, vazhdimi i bashkëpunimit sektorial dhe qëndrimi se marrëveshja e Prespës është shumë më tepër se vetëm një marrëveshje për emrin janë shumë të rëndësishme. Greqia sot kontrollon qiejt tanë si pjesë e marrëveshjes përmes NATO-s së bashku me Italinë", tha Osmani.

Ai shtoi se është biseduar edhe për detyrimet tjera që kanë të dyja vendet në lidhje me Marrëveshjen e Prespës dhe kanë shfaqur shpresën se thellimi i partneritetit strategjik do të vazhdojë, përmes besimit më të mirë rajonal.

Osmani ka shprehur shpresën se qeveria e ardhshme do të respektojë edhe obligimet e marrëveshjeve ndërkombëtare në baza reciproke.

Sipas Osmanit, nuk është i saktë konstatimi se Greqia nuk ka përmbushur asgjë nga Marrëveshja e Prespës. Siç nënvizoi ai, shtylla e detyrimeve greke nga Marrëveshja e Prespës është mbështetja për NATO-n dhe integrimin evropian. Ai është i mendimit se Maqedonia e Veriut është sot anëtare e NATO-s, për faktin se Greqia e ka përmbushur detyrimin e saj nga Marrëveshja e Prespës.

Kjo, theksoi ai, është thelbi i detyrimit grek, ndërsa protokollet janë çështje që mbeten në Kuvendin e tyre, siç kanë mbetur ligji ynë për ASHAM-in, ligji për RTM-në dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me zbatimin e emrit.

"Ne jemi duke diskutuar ato aspekte. Le të miratojnë ligjet e tyre, le të miratojmë ligjet tona, por të dyja palët e kanë përmbushur thelbin, Greqia - integrimin euroatlantik, Maqedonia e Veriut - çështjen e ndryshimeve kushtetuese dhe zbatimin e emrit. Për mua, si përfaqësues i Qeverisë, është e rëndësishme që të dyja palët të kenë përmbushur aspektet thelbësore të Marrëveshjes së Prespës dhe shpresoj se do të respektojnë edhe obligimet tjera dhe ato nuk duhet të jenë pengesë për zbatimin e marrëveshjes për partneritetit strategjik", tha Osmani.

Ai tha se shpreson që në një atmosferë të mirë të realizohen edhe obligimet e fundit që kanë mbetur në të dy parlamentet.

Osmani theksoi se në parlamentet e dy shteteve, dy qeveritë do të punojnë për nxitjen e konsensusit për miratimin e atyre ligjeve. Megjithatë, këto çështje të tjera nuk duhet të jenë në krye të marrëdhënieve tona me Greqinë.

"Ne jemi anëtare e NATO-s për shkak të mbështetjes greke dhe BE-së. Nëse kjo kërcënohet, atëherë do të jetë serioze shkelja e detyrimit të Greqisë ndaj Marrëveshjes së Prespës dhe do të kishte reagim serioz", tha Osmani.

I pyetur nëse ka një paralajmërim të mundshëm për veto të ardhshme nga ana e Greqisë, Osmani është përgjigjur se nuk ka një mundësi të tillë dhe se të dyja palët kanë shfaqur shpresë se do të respektohen detyrimet.

Në pyetjen e një gazetari se çfarë do të ndodhte nëse kryeministri i ardhshëm vazhdon të mos e përdor emrin kushtetues, Osmani tha se sipas njoftimeve nuk pret shkelje të marrëveshjes.

"Nuk do të doja të paragjykoja, do të presim një javë, do të shohim. Sipas njoftimeve nuk pres që të ketë shkelje. Kuptohet, nuk është shpjegim që një emër do të përmendet në të folur dhe një emër tjetër me shkrim. Nuk ka një shpjegim të tillë në të drejtën ndërkombëtare, por pres që të jetë vetëm një tranzicion për të përgatitur publikun. Ne inkurajojmë respektimin e Marrëveshjes së Prespës. Ata nuk kanë asnjë detyrim, asnjë përgjegjësi për marrëveshjen e Prespës, nuk e kanë votuar, nuk e kanë mbështetur, por kanë detyrim ta respektojnë. Është një marrëdhënie shtetërore", shtoi Osmani. sa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR