• e hënë, 23 dhjetor 2024

Osmani për vizitë në Turkmenistan

Osmani për vizitë në Turkmenistan

Shkup, 9 tetor 2023 (MIA) - Ministri i Punëve të Jashtme dhe kryesues me OSBE-në, Bujar Osmani, pas realizimit të vizitave në Uzbekistan dhe Kazakistan në gusht të këtij viti, në kuadër të turneut të tij në Azinë Qendrore, sot do të qëndrojë për vizitë pune në Turkmenistan.

Siç kumtoi MPJ, Vizita në Turkmenistan është në kuadër të realizimit të një pjese të angazhimeve kryesore të Programit për Kryesimin e Maqedonisë së Veriut me OSBE-në në vitin 2023 dhe mbështetjes së punës së operacioneve të OSBE-së në terren në vendet pjesëmarrëse të Azisë Qendrore (CA ).

Osmani në Ashgabat do të realizojë takime me Presidentin e Turkmenistanit, Serdar Berdimuhamedov, Ministrin e Punëve të Jashtme, Rashid Meredov, me të cilin do të mbajë edhe konferencë për media, me Gurbanguly Berdimuhamedov, Kryetarin e Këshillit Popullor të Turkmenistanit dhe Dunyagozel Gulmanova, Kryetaren e Kuvendit. Përveç takimeve me kreun e shtetit, Osmani do të ketë edhe takime me organizata të shoqërisë civile, përfaqësues të Qendrës së OSBE-së në Ashgabat, si dhe me ambasadorë rezidentë të vendeve pjesëmarrëse në OSBE dhe partnerë nga organizata të tjera ndërkombëtare.

"Bashkëpunimi i misioneve në terren të OSBE-së në vendet e Azisë Qendrore ka një rëndësi të madhe për zbutjen e pasojave të agresionit ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës. Gjithashtu, Rajoni i Azisë Qendrore është drejtpërdrejt i ekspozuar ndaj pasojave të krizës humanitare dhe situatës së përgjithshme në Afganistan. Korniza për veprim e OSBE-së u ndihmon vendeve pjesëmarrëse të këtij rajoni që t'i përgjigjen në mënyrë të duhur situatës në drejtim të zbutjes së rreziqeve për stabilitetin e Azisë Qendrore", qëndron në kumtesën e  MPJ-së. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR