• e diel, 22 dhjetor 2024

Osmani me takime të shumta bilaterale në Berlin në margjinat e konferencës kushtuar zgjerimit të BE-së

Osmani me takime të shumta bilaterale në Berlin në margjinat e konferencës kushtuar zgjerimit të BE-së

Shkup, 2 nëntor 2023 (MIA) -  Në margjina të Konferencës Ministrore për Zgjerim, në Berlin, Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, zhvilloi takime të ndara bilaterale me Ministren e Punëve të Jashtme të Republikës së Sllovenisë, Tanja Fajon, me Ministrin Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Filip Ivanoviq, si dhe me Ministren e Shtetit për Evropën dhe Klimën në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë, Ana LIrman.

Në takimin me Fajon, Osmani përshëndeti mbështetjen e Sllovenisë për integrimin gradual të vendeve kandidate në Bashkimin Evropian, respektivisht konceptin e a.q. "Më shumë integrim, para anëtarësimit", me iniciativë të tij.

"Sllovenia është mbështetëse e fuqishme dhe e hapur e rrugës së anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE, si dhe e perspektivës për anëtarësim në BE të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor", tha Osmani.

E vlerësoi Deklaratën e Përbashkët të nënshkruar së fundmi për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Sllovenisë si "platformë shumë të mirë për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh".

Osmani shprehu kënaqësinë për hapjen e linjës direkte Shkup - Lubjanë, e cila do të kontribuojë më tej në "vendosjen e dinamikës së re në funksion të bashkëpunimit ekonomik dhe rritjes së mëtejshme të shkëmbimit turistik".

Në takim me Ministrin e sapormëruar të Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Ivanoviq u fol për kursin e reformave të të dyja vendeve, harmonizimin 100% me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë dhe përkushtimin e qartë që anëtarësimi të realizohet sa më shpejtë.

"Ndaj bindjen e Presidentit Milatoviq se “anëtarësimi në BE edhe para vitit 2030 është plotësisht real dhe i mundshëm", konkludoi Osmani.

Ai e informoi Ministrin Ivanoviq për procesin e ndryshimeve kushtetuese dhe përfshirjen e pjesëtarëve të gjashtë komuniteteve në Kushtetutë, përfshirë edhe atë malazeze.

"Në fokus të takimit Osmani-Lirman ishte partneriteti tradicional ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Republikës Federale të Gjermanisë, bashkëpunimi i rëndësishëm në kuadër të NATO-s, OKB-së dhe OSBE-së, si dhe mbështetja për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut", citon MPJ në kumtesë.

Gjatë takimeve u diskutuan edhe çështje të tjera aktuale të politikës së jashtme. sa/

Foto: MPJ 

 

QËNDRONI TË LIDHUR