• e hënë, 23 dhjetor 2024

Osmani: Mbështetje dhe angazhim ende më i madh i OSBE-së për Turqinë në tejkalimin e pasojave katastrofike nga tërmetet shkatërruese

Osmani: Mbështetje dhe angazhim ende më i madh i OSBE-së për Turqinë në tejkalimin e pasojave katastrofike nga tërmetet shkatërruese

Shkup, 20 shkurt 2023 (MIA) - Mbështetje dhe angazhim ende më i madh i OSBE-së për Turqinë në tejkalimin e pasojave katastrofike me të cilat po përballet vendi pas tërmetit shkatërrues, shprehu shefi i diplomacisë Bujar Osmani, si kryesues i Organizatës, gjatë takimit të sotëm me ministrin e Jashtëm turk,  Mevlut Çaushoglu në kuadër të vizitës në Turqi.

Siç njoftoi MPJ, Osmani së bashku me Sekretaren e Përgjithshme të OSBE-së, Helga Shmid, kanë vizituar sot Republikën e Turqisë, e cila u godit nga një sërë tërmetesh shkatërruese, ku humbën jetën dhjetëra mijëra njerëz kurse qindra mijëra u lënduan. 

"Vizita ime në Turqi vjen në një moment të vështirë.  Kjo fatkeqësi ka shkaktuar vuajtje dhe dhimbje të paimagjinueshme për mijëra familje dhe komunitete në të gjithë vendin. Shpresojmë që të lënduarit të shërohen shpejt, mendimet dhe lutjet tona janë me ju. Edhe një herë në emër të OSBE-së shpreh ngushëllimet e mia për familjet e viktimave që humbën jetën në këtë tragjedi”, tha Osmani.

Në fjalën e tij, Osmani theksoi qëndrueshmërinë dhe guximin e popullit turk, duke theksuar se e gjithë bota është e bashkuar në solidaritet. Ai theksoi rëndësinë e përgjegjësisë kolektive për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme ndaj të prekurve nga tragjedia.

“Dëshiroj të shfrytëzoj këtë rast për të falënderuar të gjitha vendet pjesëmarrëse të OSBE-së për mbështetjen e tyre ndaj Turqisë në këto kohë të vështira. Por, dua të respektoj edhe secilin qytetar të këtij planeti që dha kontributin e tij, sado i vogël, sepse kontribuoi në përpjekjet humanitare”, theksoi Osmani.

Në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së, Osmani ka dërguar mesazh se duhet menduar dhe punuar për të ardhmen, duke theksuar se kjo do të kërkojë veprime kolektive në vitet e ardhshme. Ai bëri të ditur se OSBE-ja do të vazhdojë të punojë me të gjitha vendet pjesëmarrëse për të ofruar ndihmë, duke paralajmëruar angazhim edhe më të madh të Organizatës dhe mbështetje nga fondet e OSBE-së.

“Turqia shprehu shqetësimin për mungesën e mekanizmave konkretë nga OSBE-ja kur bëhet fjalë për reagimin ndaj fatkeqësive.  Dëshiroj t'ju siguroj se ne i marrim seriozisht këto shqetësime dhe po punojmë për t'i zgjidhur ato.  Ne kemi nevojë për angazhim edhe më të madh nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar, përfshirë OSBE-në. Prania ime sot këtu, si kryesues i OSBE-së, së bashku me Sekretaren e Përgjithshme Helga Shmid, është dëshmi e vendosmërisë sonë në këtë drejtim”, tha Osmani.

Osmani e shfrytëzoi këtë vizitë edhe për të falënderuar qytetarët e vendit tonë të cilët organizuan aksione të shumta humanitare në mbështetje të popullit turk.

“Dëshiroj të shfrytëzoj rastin për të shprehur mirënjohjen time për njerëzit e vendit tim, Maqedonisë së Veriut. Ata treguan solidaritet të jashtëzakonshëm dhe zemërgjerësi për t'i ofruar menjëherë ndihmë popullit turk. Qeveria dhe institucionet dërguan ndihma humanitare, njësi speciale në terren dhe mbështetje financiare. Marrëdhëniet e ngushta mes Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë janë ndërtuar mbi bazën e besimit të fortë dhe respektit të ndërsjellë”.

Osmani theksoi se mbështetja për Republikën e Turqisë do të vazhdojë edhe në ditët dhe javët në vijim, derisa populli turk të rikuperohet plotësisht nga kjo tragjedi, qëndron në kumtesën e MPJ-së. sa/

QËNDRONI TË LIDHUR