• e hënë, 23 dhjetor 2024

Osmani: Më shumë integrim të Ballkanit Perëndimor për stabilitet, parashikueshmëri dhe besim në marrëdhëniet e ndërsjella

Osmani: Më shumë integrim të Ballkanit Perëndimor për stabilitet, parashikueshmëri dhe besim në marrëdhëniet e ndërsjella

Shkup, 30 maj 2023 (MIA)- Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në Bratisllavë ku po merr pjesë në Forumin GlobSec 2023 ka trajtuar konceptin e ashtuquajtur “Më shumë integrim para anëtarësimit”.

Duke iu drejtuar panelit kushtuar të ardhmes së zgjerimit të Bashkimit Evropian, ai theksoi se edhe pse anëtarësimi i plotë në BE mund të zgjasë disa vite, vendeve kandidate për anëtarësim në BE u duhen hapa të përkohshëm afatshkurtër, por të besueshëm dhe real për të avancuar ekonominë, lidhjen dhe proceset demokratike.

“Anëtarësimi në Komunitetin e Energjisë dhe Transportit së bashku me liberalizimin e vizave ishin shembuj të mirë se si të eksportohen rregullat deri te kandidatët para anëtarësimit të plotë në BE. Zgjerimi gradual i këtij integrimi në fusha të tjera do të promovojë stabilitetin, parashikueshmërinë dhe besimin në marrëdhëniet tona të ndërsjella”, theksoi Osmani.

Ai edhe një herë shpjegoi se qëllimi i konceptit është t'u mundësojë vendeve të Ballkanit Perëndimor qasje në fonde, si dhe pozita vëzhguese në institucionet evropiane, me qëllimin përfundimtar nga vendet e Ballkanit Perëndimor të zhvillojnë kapacitete kompatibile me vlerat evropiane dhe konkurrencën e tregut.

“Kjo nuk është alternativë për anëtarësimin e plotë, por diçka e dobishme për qytetarët tanë në rrugën e tyre drejt anëtarësimit, siç është integrimi progresiv i Tregut unik, p.sh. lëvizja e lirë e mallrave; lehtësimi i tregtisë ndërmjet rajonit dhe BE-së përmes uljes dhe eliminimit të tarifave dhe kuotave të mbetura doganore, duke përfshirë produktet bujqësore dhe duke ofruar përjashtime nga masat tregtare; furnizimi pa pagesë i shërbimeve dhe lëvizja e kapitalit; përfshirja në politikat tregtare dhe tatimore të orientuara drejt së ardhmes etj.” shpjegoi ai.

Në panelin për zgjerimin e Unionit, me pikëpamjet e tyre u drejtuan ministri i Çështjeve evropiane dhe ndërkombëtare të Austrisë, Aleksander Shallenberg, ministri i Punëve të Jashtme i Bosnje dhe Hercegovinës, Elmedin Konakoviq dhe zëvendësministrja për Evropë dhe Punë të Jashtme të Shqipërisë, Megi Fino.

Foto: MPJ

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR