• e hënë, 23 dhjetor 2024

Osmani: Kosova dhe SHBA-ja mund të kenë mosmarrëveshje për qasjen, por jo edhe për qëllimin përfundimtar

Osmani: Kosova dhe SHBA-ja mund të kenë mosmarrëveshje për qasjen, por jo edhe për qëllimin përfundimtar

Prishtinë, 31 gusht 2024 (MIA) - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani deklaroi se dallimet mes Kosovës dhe SHBA-së nuk janë në qëllimet përfundimtare, por në qasjen për arritjen e tyre, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në fjalimin e saj në Forumin global të sigurisë "GLOBSEK 2024", që mbahet në Pragë, Osmani i vlerësoi marrëdhëniet me SHBA-në si më të rëndësishmet për Kosovën.

"Kuptohet, herë pas here do të dëgjoni deklarata për mosmarrëveshje mes zyrtarëve amerikanë dhe Qeverisë së Kosovës lidhur me disa qasje, por asnjëherë për qëllimet përfundimtare apo vlerat fundamentale që i ndajmë. Nuk ka asnjë mosmarrëveshje në atë se Kosova dhe SHBA-ja duan një Kosovë sovrane, të pavarur, të suksesshme, multietnike, të bazuar në Kushtetutë”, tha Osmani.

Megjithatë, tha ajo, "ndonjëherë qasja ndaj mbajtjes së Kosovës demokratike, sovrane dhe të fuqishme dhe si do ta arrijmë këtë, mund të jetë e ndryshme".

Reagimi i Osmanit vijoi pas kritikave të ashpra nga SHBA-ja për aksionin e djeshëm të policisë së Kosovës, me të cilin janë mbyllur zyret e institucioneve paralele, të menaxhuar nga Serbia në pjesën veriore të Kosovës. bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR