• e hënë, 23 dhjetor 2024

Osmani: Jo të gjithë shqiptarët e punësuar në institucione janë kuadër i BDI-së

Osmani: Jo të gjithë shqiptarët e punësuar në institucione janë kuadër i BDI-së

Shkup, 8 nëntor 2023 (MIA) - Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot para mediave foli për perceptimin e krijuar se kudo në institucione ku ka të punësuar shqiptarë, kjo nënkupton prani të BDI-së në to.

Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve në konferencën e sotme për media pas takimit me përfaqësuesin e NATO-s, Haiver Kolomina, Osmani në lidhje me akuzat e bllokut opozitar shqiptar për kinse ndikim politik të BDI-së në gjyqësor, si dhe për lidhje të gjykatësve të Gjykatës Supreme, tha se jo të gjithë shqiptarët e punësuar në institucione janë kuadër i BDI-së. 

"Kur shihni mjekë specialistë shqiptarë, që nuk ka qenë në të kaluarën, ata thonë se ja BDI-ja ka hyrë edhe në klinika. Ata nuk janë kuadro të BDI-së, ata janë njerëz që në të kaluarën janë penguar të jenë në institucione... Nuk mund të anatemosh një popull duke përfaqësuar se është vetëm BDI. BDI është vetëm një parti politike që ka hapur institucionet për hyrjen e shqiptarëve", tha Osmani, duke shprehur keqardhjen që disa parti politike e vënë në dukje përfaqësimin e shqiptarëve në prokurori, në gjykata, në klinika, në institucione, në administratë si parti apo akt politik", tha Osmani.

Për akuzat e opozitës shqiptare se në radhët e BDI-së ekziston frika nga kthimi eventual i ish kryeministrit Nikolla Gruevski në skenën politike vendore, ai tha se ato janë telashe brenda partiake në vetë partinë VMRO-DPMNE, ndërsa partia e tij nuk ka kurrfarë interesi nga ajo që ndodh te ish partneri i koalicionit. 

"Ajo është betejë brendapartiake në VMRO-DPMNE, aty ekziston frikë nga kthimi i Gruevskit. Pse ngazëllehen partitë e vogla shqiptare për VMRO... BDI-ja është më e fuqishme se kurdoherë, do të dalë në zgjedhje, do të fitojë, sepse shqiptarët nuk gjejnë rehati tjetër përvec se te BDI-ja dhe Ali Ahmeti", tha Osmani. 

Në lidhje me akuzat e partive opozitare nga blloku shqiptar për anulimin e përpjekjeve të BDI-së për votimin e ndryshimeve kushtetuese, Osmani është i vendosur se partia do të bëjë çmos për realizimin e ndryshimeve kushtetuese.

"Pa ndryshime kushtetuese nuk ka anëtarësim në BE, nuk ka negociata me BE, pa negociata me BE nuk mund të funksionojmë si shoqëri. Pa këtë raport të publikuar sot nga BE-ja me një diagnozë të të gjitha dobësive, ne nuk do të jemi në gjendje të zbulojmë apo korrigjojmë dobësitë tona. Prandaj deri në momentin e fundit, deri në frymën e fundit, deri në rastin e fundit nuk do të ndalemi së punuari për ndryshime kushtetuese. Por përgjegjësia nuk është vetëm e BDI-së. Vetëm BDI-ja nuk mund të jetë përgjegjëse për të ardhmen euroatlantike të vendit, përgjegjësi duhet të mbajnë edhe ata që e pengojnë atë rrugë, me të gjitha pasojat e një sjelljeje të tillë", tha shefi i diplomacisë. fc/

Fotografia: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR