• e hënë, 23 dhjetor 2024

Osmani- Hasani: Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë të gatshme t’i hapin klasterët dhe kapitujt dhe kjo nuk duhet të zvarritet

Osmani- Hasani: Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë të gatshme t’i hapin klasterët dhe kapitujt dhe kjo nuk duhet të zvarritet

Shkup, 17 janar 2023 (MIA)- Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani sot realizoi takim me ministrin për Evropën dhe Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Igli Hasani i cili po qëndron për vizitë zyrtare në vend pas marrjes së detyrës.

Në fokus të takimit, siç informojnë nga MPJ, kanë qenë marrëdhëniet bilaterale, situata aktuale politike në rajon, aleanca në NATO, si dhe perspektivat evropiane të të dy vendeve, të cilave iu referuan me theks të veçantë.

“Të dy vendet tashmë një vit në mënyrë aktive zhvilluan negociata të cilat kanë përfunduar me sukses mbi procesin e skriningut, duke marrë nota të mira, madje të shkëlqyera. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria janë të gatshme t’i hapin klasterët dhe kapitujt, andaj ky proces nuk duhet të zgjatet; përkundrazi të dy vendet duhet t’i vazhdojnë negociatat dhe ta përshpejtojnë integrimin e tyre edhe para anëtarësimit të plotë”, potencoi Osmani, duke veçuar harmonizimin e plotë ose 100 për qind me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë së Unionit, implementimin e lartë të legjislacionit evropian, si dhe faktin se të dy vendet tashmë janë aleatë në NATO, së bashku me numrin më të madh të vendeve evropiane.

Në takim u hapën temat edhe për bashkëpunimin rajonal, iniciativat e shumta rajonale dhe mbështetjen reciproke në organizatat ndërkombëtare në përgjithësi. U potencua se gjatë vitit që lamë pas të dy vendet kishin rol të rëndësishëm multilateral: Maqedonia e Veriut si kryesuese e OSBE-së, ndërsa Shqipëria si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara.

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR