Osmani do të kërkojë sqarime shtesë nga Gjykata kushtetuese për bllokimin e konstituimit të parlamentit në Kosovë
- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani paralajmëroi se sërish do t'i drejtohet Gjykatës kushtetuese për sqarim lidhur me konstituimin e pasuksesshëm të Kuvendit deri më 26 korrik, kur skadon afati të cilin e caktoi ajo gjykatë.
- Post By Arta Bunjaku
- 10:31, 13 korrik, 2025
Prishtinë, 13 korrik 2025 (MIA) - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani paralajmëroi se sërish do t'i drejtohet Gjykatës kushtetuese për sqarim lidhur me konstituimin e pasuksesshëm të Kuvendit deri më 26 korrik, kur skadon afati të cilin e caktoi ajo gjykatë.
Siç transmetojnë mediumet nga Prishtina, ajo gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe diskutimit në Institutin Hadson në Uashington, ka folur për krizën institucionale në Kosovë e cila po zgjatë tashmë disa muaj.
Aktgjykimi i fundit i Kushtetueses nuk ka sqaruar sa duhet pasojat, në rast se Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik, për çka presidentja e vendit tha se do t`i drejtohet sërish Gjykatës Kushtetuese me pyetje të veçanta për këtë bllokadë institucionale.
"Në kushtetutën tonë, kur e hartuam, ishte e pamundur të parashikohej çdo skenar i vetëm. U hartua në një mënyrë me një mendim pozitiv, që ligjvënësit do të bashkëpunonin, në vend që të bllokonin njëri-tjetrin dhe institucionin. Pra, tani për tani, për shkak të një mungese qartësie kushtetuese, nëse mund ta quaj kështu, Parlamenti nuk është konstituuar. Por patëm një rast të ri në gjykatën Kushtetuese dhe gjykata ka sqaruar se ekziston ky afat i rreptë 30-ditor, i cili do të skadojë më 26 korrik, për Kushtetutën e Parlamentit. Por nuk sqaroi se cilat janë pasojat ligjore të mosrespektimit të atij afati të detyrueshëm kushtetues. Pra, duket se do të më duhet t’i drejtohem përsëri gjykatës dhe t’u bëj atyre atë pyetje të veçantë, dhe shpresoj se ata do të përgjigjen", deklaroi Osmani.
Megjithatë, gjatë diskutimit ajo shprehi optimizëm lidhur me tejkalimin e bllokadës politike, duke vlerësuar se "moskonstituimi i Kuvendit e dëmton Kosovën dhe qytetarët e saj". ab/
Foto: Osmani në X