• e martë, 19 nëntor 2024

Osmani: Agresioni ushtarak i Rusisë ndikon në funksionimin e përgjithshëm të OSBE-së

Osmani: Agresioni ushtarak i Rusisë ndikon në funksionimin e përgjithshëm të OSBE-së

Shkup, 21 shtator 2023 (MIA) - Në margjinat e sesionit të 78-të Asamblesë së Përgjithshme të KB-së, në cilësinë e kryesuesit të OSBE-së, Ministri Bujar Osmani udhëhoqi takimin e Treshes së OSBE-së, ku përveç Maqedonisë së Veriut, bëjnë pjesë Finlanda dhe Polonia, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Helga Shmid.

Siç kumtoi MPJ, me Ministren e Punëve të Jashtme të Finlandës, Elina Valtonen, Ministrin e Punëve të Jashtme të Polonisë, Zbignjev Rau dhe Sekretaren e Përgjithshme të OSBE-së, Helga Shmid, Osmani bisedoi për situatën aktuale në Organizatë, presidencën e ardhshme në vitin 2024, por edhe për sfidat urgjente në terren, në rajonin e OSBE-së.

Në kuadër të rreziqeve të shkaktuara nga agresioni ushtarak rus kundër Ukrainës, Osmani theksoi se situata aktuale ndikon seriozisht te të gjitha iniciativat në Organizatë, si dhe funksionimin e përgjithshëm të OSBE-së.

"Duke hyrë në muajt e fundit, jashtëzakonisht të rëndësishëm të Kryesimit tonë, kemi disa çështje të hapura që duhet t'i zgjidhim", nënvizoi Osmani në takim.

Ai tha se me emërimin e Përfaqësuesit të ri Special për Ukrainën, ambasadorit Marsel Peshko, janë duke u shqyrtuar opsione shtesë për angazhimin e OSBE-së në Ukrainë, për t'iu përgjigjur nevojave të njerëzve në terren dhe paralajmëroi vizitën e tij të dytë në Ukrainë si kryesues i OSBE-së.

"Ne duhet të tregojmë unitet përballë Federatës Ruse dhe kjo Organizatë duhet të mbijetojë. Duhet të flasim të bashkuar dhe të veprojmë me qasje të koordinuar dhe strategji të përbashkët për hapat e ardhshëm në përpjekje për zgjidhjen e disa prej këtyre çështjeve të hapura", tha Osmani.

Në takim u diskutuan edhe sfida të tjera në rajonin e gjerë të OSBE-së, si situata në Moldavi, Armeni dhe Azerbajxhan, si dhe në Azinë Qendrore.

Ai paralajmëroi një vizitë të dytë në Moldavi, për t'u takuar me Qeverinë e Moldavisë dhe autoritetet e Transnistrisë, si dhe një vizitë të dytë në Azinë Qendrore në tetor, pra në Kirgistan, Taxhikistan dhe Turkmenistan, pas vizitës së tij në Uzbekistan dhe Kazakistan si Kryesues i OSBE-së në gusht.

Për situatën në Armeni dhe Azerbajxhan, Osmani ritheksoi se ka pasur takime produktive me ministrat e jashtëm të këtyre vendeve dhe theksoi se OSBE-ja duhet të luajë një rol aktiv në uljen e tensioneve dhe jetës së njerëzve që janë të rrezikuar.

Për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura dhe të ndjeshme me të cilat ballafaqohet OSBE-ja, Osmani në fund të muajit paralajmëroi një Këshill të Përhershëm të përforcuar, sepse, siç tha ai, "situata komplekse kërkon vëmendje dhe zgjidhje të menjëhershme".

Në fund të takimit me Treshen e OSBE-së, kryesuesi Osmani dërgoi mesazh se deri në përfundimin e mandatit të Kryesisë së Maqedonisë së Veriut me OSBE-në, fokusi do të mbetet në misionet në terren, organizatat civile dhe mbi të gjitha te njerëzit. sa/

Foto: MPJ

 

QËNDRONI TË LIDHUR