• e martë, 19 nëntor 2024

Osmani – Billstrom: Nëpërmjet reformave të mbështetura nga Suedia, më pranë familjes evropiane

Osmani – Billstrom: Nëpërmjet reformave të mbështetura nga Suedia, më pranë familjes evropiane

Shkup, 21 shtator 2023 (MIA) - Në kuadër të pjesëmarrjes në sesionin e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani ka zhvilluar takim me Ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Suedisë, Tobias Billstrom.

Ministri Osmani shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme nga Suedia në rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, duke theksuar veçanërisht rolin aktiv të Suedisë për mbarëvajtjen e proceseve reformuese në vendin tonë.

"E vlerësojmë lartë përkushtimin e Suedisë për të qenë partneri ynë dhe mbështetës kryesor financiar për arritjen e rezultateve të rëndësishme reformuese që na afrojnë me familjen evropiane", tha Ministri Osmani.

Ministri suedez Billstrom përshëndeti përpjekjet e vendit tonë për të arritur sa më shpejt përcaktimin strategjik për anëtarësimin tonë në BE dhe konfirmoi se mbështetja suedeze do të vazhdojë me ritme të pandërprera edhe në të ardhmen.

Në takim të dy ministrat shprehën kënaqësinë e tyre për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet dy vendeve, që këtë vit shënon 30 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, si dhe përshëndetën dialogun politik dinamik dhe të vazhdueshëm, duke shprehur besimin se në të ardhmen që të dy vendet do të punojnë me përkushtim për dinamizimin e mëtejshëm në bashkëpunimin sektorial dhe intensifikimin e mbështetjes reciproke në formate të ndryshme shumëpalëshe.

Të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime edhe për situatën aktuale politike dhe të sigurisë në vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe diskutuan edhe për bashkëpunimin dhe sfidat në kuadër të Kryesimit të Maqedonisë së Veriut me OSBE-në në vitin 2023.  sa/

Foto. MPJ

QËNDRONI TË LIDHUR