• e hënë, 23 dhjetor 2024

OSBE/ODIHR me vlerësim pozitiv për ditën e zgjedhjeve, procedurat për votim janë respektuar në masë të madhe

OSBE/ODIHR me vlerësim pozitiv për ditën e zgjedhjeve, procedurat për votim janë respektuar në masë të madhe

Shkup, 25 prill 2024 (MIA) - Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale ka qenë konkurrues dhe votuesit mund të bënin zgjidhje të informuar. Dita e zgjedhjeve në përgjithësi u vlerësua pozitivisht ku në masë të madhe u respektuan procedurat e votimit, ndërsa në disa raste gjatë numërimit, këshillat zgjedhor nuk i kryen plotësisht procedurat e përcaktuara. Këto janë konkluzionet preliminare të misionit ndërkombëtar për vëzhgim të zgjedhjeve të përbërë nga përfaqësues të OSBE/ODIHR dhe Këshillit të Evropës dhënë sot në një konferencë për shtyp.

Xhillian Stirk, shefe e misionit të OSBE/ODIHR në kontekst të kornizës ligjore, theksoi se kjo është bazë për zgjedhje demokratike, por nuk rregullon mjaftueshëm disa nga elementët e rëndësishme të garës presidenciale.

Ajo ka thënë se ndryshimet e fundit në Kodin zgjedhor u bënë përmes një procesi ku mungonte transparenca dhe konsultimi publik.

"Liritë themelore u respektuan gjatë fushatës, por me afrimin e ditës së zgjedhjeve, ndërsa kufijtë midis garës presidenciale dhe parlamentare filluan të zbehen, retorika u bë gjithnjë e më negative dhe në disa raste diskriminuese duke reflektuar fragmentim politik dhe ndasi etnike", ka thënë tutje Stirk.

Ajo iu referua edhe përfaqësimit të pamjaftueshëm të siç thotë ajo, "grave në fushatë, si dhe atë se angazhimi i kufizuar me gratë votuese tregon nevojën për një përkushtim më të madh për të siguruar përfshirjen e tyre në jetën politike".

Në raport madje ka pretendime për shpërndarjen e mjeteve për fushatën. "Lidhja e shpërndarjes së mjeteve për fushatën dhe mundësitë mediatike me përkatësinë partiake favorizon në mënyrë disproporcionale kandidatët e lidhur me partitë kryesore politike", tha Stirk.

Sa i përket administratës zgjedhore ajo tha se pavarësisht burimeve të kufizuara njerëzore dhe teknike, gëzonte përgjithësisht besimin e publikut në kuptim të kapaciteteve teknike dhe menaxhimit efikas të procesit në tërësi.

Misioni vëzhgues ndërkombëtar do të ndjekë edhe raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale bashkë me zgjedhjet parlamentare të 8 majit, ndërsa vlerësimi përfundimtar për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare do të shpallet dy ose tre muaj pas përfundimit të zgjedhjeve.

foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR