• e diel, 22 dhjetor 2024

Opozita e kryesuar nga Berisha të hënën në protestë para Parlamentit shqiptar, bëri thirrje për masivitet

Opozita e kryesuar nga Berisha të hënën në protestë para Parlamentit shqiptar, bëri thirrje për masivitet

Tiranë, 15 dhjetor 2023 (MIA) - Kryesia e PD të Berishës në të cilën marrin pjesë edhe deputetët e këtij krahu të Partisë Demokratike, e kryesuar nga ish presidenti dhe kryeministri shqiptar, Sali Berisha, vendosi që të organizojë protestë të hënën dhe të enjten, dy ditë shumë të rëndësishme në kalendarin politik në vend.

Të hënën është dita kur vendoset mbi imunitetin e Berishës në mbledhjen e këshillit të legjislacionit dhe imunitetit. Dhe të enjten paralelisht me seancën e fundit parlamentare për këtë sesion parlamentar.

Protesta është paralajmëruar edhe të enjten, kur mbahet mbledhja e fundit e Kuvendit për këtë vit.

"Duhet të arrihet kulmi i veprimit të opozitës. U bëj thirrje deputetëve dhe simpatizantëve të opozitës, por edhe qytetarëve që të marrin pjesë masivisht në protestat para Kuvendit", bëri thirrje Berisha.

Masën e mëparshme të kallëzimit në gjykatë, të hënën e parë dhe të tretë të muajit, Berisha nuk e ka zbatuar asnjë herë, duke iu referuar disa dispozitave kushtetuese. Atij iu ndalua edhe largimi nga vendi.

Avokati i tij por edhe ekspertë të tjerë juridikë thonë se Berisha (79) nuk mund të përfundojë në paraburgim, sepse për shkak të moshës këtë nuk e lejon ligji, dhe sqarojnë se për person më të moshuar se 70 vjet maksimumi është arrest shtëpiak.

Ish kryeministri është nën hetim për korrupsion pasiv në aferën për privatizimin e kompleksit sportiv "Partizan" në Tiranë. fc/

Fotografia: Fejsbuk

QËNDRONI TË LIDHUR