• e hënë, 23 dhjetor 2024

OKB-ja në mars regjistroi një rritje drastike të numrit të civilëve të vdekur dhe të plagosur në Ukrainë

OKB-ja në mars regjistroi një rritje drastike të numrit të civilëve të vdekur dhe të plagosur në Ukrainë

Nju Jork, 10 prill 2024 (MIA) - Vëzhguesit e Kombeve të Bashkuara kanë vërejtur një rritje të papritur të viktimave civile në Ukrainë muajin e kaluar për shkak të sulmeve të intensifikuara nga forcat ruse, njoftoi sot Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Në mars, në mesin e viktimave, të paktën 57 fëmijë u vranë ose u plagosën, që është dy herë më shumë se në shkurt, njoftoi Hina.

Misioni vëzhgues i Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut konfirmoi të paktën 604 civilë të vrarë ose të plagosur në Ukrainë në mars, 20 për qind më shumë se shkurti.

“Rritja e viktimave civile në mars është kryesisht rezultat i sulmeve nga forcat e armatosura ruse duke përdorur raketa dhe dronë shpërthyes anembanë Ukrainës dhe rritje të bombardimeve ajrore pranë vijës së frontit”, kumtoi Zyra e të Drejtave të Njeriut.

Misioni zbuloi se shumica e viktimave civile - 93,5 përqind - si dhe shumica e dëmeve në institucionet arsimore dhe shëndetësore dhe infrastrukturën kritike ndodhën në zonat e kontrolluara nga qeveria.

Ukraina pësoi sulme veçanërisht të rënda muajin e kaluar, me ç'rast presidenti Volodimir Zelenski tha se vendit mund t'i mbarojë raketat e mbrojtjes ajrore nëse Rusia vazhdon fushatën e saj intensive të bombardimeve me raketa me rreze të gjatë. Javën e kaluar, ai njoftoi me saktësi se vetëm në mars, Rusia gjuajti mbi 3000 bomba të drejtuara, lëshoi ​​600 dronë dhe 400 projektila në Ukrainë. ls/

Foto: EPA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR