• e shtunë, 22 shkurt 2025

Oda ekonomike e tregtarëve me shumicë dhe pakicë në takim me ministrin e ekonomisë

Oda ekonomike e tregtarëve me shumicë dhe pakicë në takim me ministrin e ekonomisë

Shkup, 14 shkurt 2025 (MIA) - Përfaqësuesit e Odës Ekonomike të sapoformuar të tregtarëve me shumicë dhe pakicë kryesisht me prodhime ushqimore dhe joushqimore, pije dhe duhan duhet të takohen me ministrin e Ekonomisë Besar Durmishi në lidhje me propozim-vendimin për kufizimin e marzheve deri në 10 për qind në tregtinë me shumicë dhe pakicë.

Nga Oda përmes një komunikate njoftuan se janë takuar me kryeministrin Hristijan Mickoski, i cili e ka obliguar ministrin e Ekonomisë që të zhvillojë takim me ta, pas së cilës kanë paralajmëruar se do t'i publikojnë informatat për opinionin.

"Sipas vendimit nga takimi, në të cilin kryeministri Hristijan Mickoski e obligoi ministrin e Ekonomisë dhe Punës që të mbajë një takim të ri me ne, më 14 shkurt 2025, gjatë ditës së sotme do të dalim me qëndrime, të cilat do t'i sqarojmë në takim, të cilat do të analizohen për të gjetur një zgjidhje të përbashkët. Ne duam të krijojmë një klimë të favorshme pune për të gjithë aktorët e sektorit, që të mos pësohet asnjë dëm dhe e gjithë kjo është në interes të konsumatorëve tanë", thuhet në kumtesën e Odës.

Dje Oda ka bërë kërkesë për mbledhje urgjente me Qeverinë pas vendimit për përgatitjen e Projekt-vendimit për kufizimin e marzheve në 10 për qind në tregtinë me pakicë dhe shumicë.

Nga Oda theksuan se një vendim i tillë do të vinte në pikëpyetje mbijetesën e tregtarëve dhe ata do të detyroheshin të pushonin nga puna dhe të mbyllnin marketet. Dëmet, sipas Odës, do të jenë të mëdha, pasi rrezikohet mbijetesa e 86 kompanive tregtare me 790 dyqane dhe 4.700 punonjës.

Oda Ekonomike e Tregtarëve me Shumicë dhe Pakicë, kryesisht me produkte ushqimore dhe jo ushqimore, pije dhe duhan, është themeluar në Kuvendin Themelues të mbajtur më 10 shkurt dhe është në proces të regjistrimit në Regjistrin Qendror.

Pas rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe dy bojkoteve qytetare, Qeveria në seancën e së martës ka obliguar Ministrinë e Ekonomisë që të përgatisë Projektvendimin, i cili sipas njoftimeve është dashur të mbahej dje në seancë urgjente, por kjo nuk ka ndodhur. Projekt-vendimi ishte paraparë të mbulonte produktet ushqimore bazë nga të njëjtat 73 grupe produktesh që ishin në shportat e mëparshme, si dhe detergjentet, ushqimet për fëmijë dhe produkte të tjera joushqimore që kanë një marzhë shumë të lartë dhe janë pjesë e nevojave bazë të qytetarëve.

Ky vendim është bazuar në raportin gjashtëmujor të Inspektoratit Shtetëror të Tregut, sipas të cilit është konstatuar se shitësit me pakicë kanë mbi 20 për qind marzhe për produktet ushqimore bazë dhe mbi 30 për qind marzhe për produktet e higjienës personale, ndërsa importuesit dhe distributorët kanë shënuar marzhe më të larta, madje deri në 50 për qind. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR