• e hënë, 23 dhjetor 2024

Oda e Mjekëve: Institucionet t'i mbrojnë mjekët nga keqpërdorimi për reklama të rreme

Oda e Mjekëve: Institucionet t'i mbrojnë mjekët nga keqpërdorimi për reklama të rreme

Shkup, 13 shtator 2023 (MIA) - Oda e mjekëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si shoqatë profesionale e të gjithë mjekëve të mjekësisë, publikisht kërkon nga Prokuroria Themelore Publike dhe Ministria e Punëve të Brendshme që të veprojnë urgjentisht dhe të parandalojnë keqpërdorimin e integritetit dhe autoritetit profesional të mjekëve në funksionin e reklamimit të rremë të formave të paverifikuara të preparateve mjekësore, barnave, suplementeve ushqimore, metodave apo mjeteve ndihmëse për mjekim, të cilat janë gjithnjë e më të pranishme në portalet e internetit dhe rrjetet sociale.

"Në Odë shpesh vijnë ankesa nga mjekë të cilët ankohen se zbulojnë rastësisht se emri dhe fotografia e tyre po përdoren për promovimin dhe shitjen e produkteve të caktuara pa pëlqimin ose dijeninë e tyre. Ky përdorim i integritetit të tyre profesional ka pasoja të rënda negative, si për reputacionin e tyre si profesionistë mjekësorë, ashtu edhe për pacientët që mund të bëhen viktima të këtij mashtrimi, theksohet në kumtesën e sotme të Odës së mjekëve.

Nga aty theksojnë se bëhet fjalë për reklama manipuluese dhe të rreme për të ashtuquajturat produkte medicinale, preparate dhe metoda me origjinë, përbërje ose prodhim të paverifikuar.

"Në reklama vendosen deklarata të shpikura apo intervista me mjekë të vërtetë dhe publikohen fotot e tyre, pa dhënë pëlqimin e duhur mjekët për përdorimin e emrit dhe integritetin profesional për reklamimin e këtyre preparateve, prandaj kjo mund të konsiderohet si keqpërdorim i rëndë i të dhënave personale dhe reklamave të rreme për përfitime materiale. Dëmi është edhe më i madh kur për shkak të reklamimit të rrejshëm të preparateve pacientëve mund të krijohet përshtypja se bëhet fjalë për disa lloje të barnave mrekullibërëse dhe në këtë mënyrë neglizhojnë terapinë e rregullt dhe shkaktojnë dëme serioze në shëndetin e tyre", theksohet në kumtesën.

Oda i inkurajon mjekët që janë viktima të keqpërdorimeve të tilla të raportojnë në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe kur është e mundur të paralajmërojnë pacientët për këto reklama të rreme.

Në kumtesën thuhet se një numër i madh i mjekëve tashmë kanë dorëzuar kallëzime penale me prova përkatëse në institucionet kompetente.

Nga Oda informojnë se deri më tani publikisht po reagojnë dhe po paralajmërojnë për pasojat, por ende nuk kanë informacione për vendimet e prokurorit publik për këto raste.

Oda e mjekëve në kumtesën edhe një herë ashpër dënon të gjitha keqpërdorimet e tilla dhe kërkon veprim më të shpejtë për zbardhjen e menjëhershme të rasteve dhe sanksionimin e duhur të autorëve. Në këtë mënyrë do të mbrohen edhe mjekët edhe pacientët, do të parandalohet gjenerimi i rasteve të reja të keqpërdorimit, por edhe do të parandalohet mundësia për dëmtim të shëndetit të qytetarëve. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR