• e shtunë, 21 dhjetor 2024

OBSH paralajmëron për paraqitje të sëmundjeve në Liban

OBSH paralajmëron për paraqitje të sëmundjeve në Liban

 

Gjenevë, 8 tetor 2024 (MIA) – Ian Klark nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi sot për paraqitje të sëmundjeve në Liban për shkak të kushteve të këqija në strehimoret për personat e zhvendosur dhe mbylljes së spitaleve.

"Ne po përballemi me një situatë ku ekziston një rrezik shumë më i lartë i paraqitjes së sëmundjeve si diarreja akute, hepatiti A dhe një sërë sëmundjesh që mund të parandalohen me vaksina", theksoi Klark në konferencë për shtyp në Gjenevë përmes video-thirrjes nga Bejruti.

Agjencia shëndetësore e OKB-së tashmë ka paralajmëruar se sistemi shëndetësor në Liban është i mbingarkuar dhe se pesë spitale në vend janë mbyllur deri më tani, dhe vetëm katër janë pjesërisht funksionale.

Klark shtoi se spitalet u mbyllën sepse personeli mjekësor ose u largua nga luftimet ose u detyrua të evakuohej.

Në konferencë ai iu referua edhe mungesës së ushqimit në Liban, duke theksuar se mijëra hektarë tokë bujqësore në pjesën jugore të vendit janë djegur ose braktisur për shkak të konfliktit. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR