• e hënë, 23 dhjetor 2024

Nuk e kam votuar Merkon që të them se a do të japë dorëheqje, duhet të vendosë vetë, vlerëson Osmani

Nuk e kam votuar Merkon që të them se a do të japë dorëheqje, duhet të vendosë vetë, vlerëson Osmani

Shkup, 1 korrik 2023 (MIA) - Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani thotë se kryetari i Strugës, Ramiz Merko pas emërimit të tij në të ashtuquajturën Lista e zezë e SHBA-së, duhet vetë të marrë vendim nëse do të japë dorëheqje nga funksioni. 

"Mendoj se Merko duhet të vendosë vetë lidhur me raportin e tij me qytetarët të cilët e kanë zgjedhur. Po të jem unë votues në Strugë, po të ishte ai kryetar nga Çairi, do ta thoja mendimin tim. Megjithatë unë nuk e kam votuar, e as jetoj në Strugë, dhe mendoj se kjo është çështje e raportit mes kryetarit dhe qytetarëve të cilët e kanë zgjedhur. Në lidhje me funksionet e partisë, funksionet shtetërore absolutisht nuk kemi dyshime në atë pjesë", tha Osmani, në pyetjen e gazetarëve në konferencën për media në MPJ.

Ai theksoi se BDI-ja e ka thënë qëndrimin e saj se kërkojnë hetim gjithëpërfshirës vendor dhe ndërkombëtar dhe aktivizimin e të gjitha mekanizmave të mundshme, si dhe se ngrihen të gjitha pozicionet në parti. 

"Kjo është përgjigja më e mirë që mund të japim për momentin. Kryetarët e komunave zgjidhen me zgjedhje të drejtpërdrejta. As kryeministri nuk është në zgjedhje të drejtpërdrejta, as ministrat, të gjithë jemi të emëruar nga Kuvendi. Ata janë në zgjedhje të drejtpërdrejta. Votuesit e tij nuk janë vetëm nga BDI-ja, edhe maqedonas, edhe shqiptarë, dhe nga të gjitha partitë e tjera politike. Ajo marrëdhënie është mes kryetarit dhe qytetarëve dhe duhet ta zgjidhin vetë. Ne e kemi shprehur qëndrimin tonë dhe mendoj se nga të gjitha reagimet e mëparshme në rajon, pasi ka pasur lista të zeza në Shqipëri dhe në vende të tjera, i vetmi reagim i tillë është nga BDI. BDI, thotë - Po, e pranojmë vendimin, aktivizimin e menjëhershëm të mekanizmave, anëtarësia partiaka është e ngrirë, vazhdoni ta hetoni. Dhe ne madje inkurajojmë SHBA-në të ecin përpara, të emërojnë nëse mendojnë se ka të tillë që duhen të emërohen. Mendoj se BDI-ja e ka ndalur trendin e reagimeve ndaj këtij lloj mekanizmi të sjellë nga SHBA-ja", tha Osmani. fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR