NQP mori gjashtë autobusë ekologjikë, donacion nga Bashkimi Evropian
- – Ndërmarrja e Qarkullimit Publik (NQP) sot përmes projektit “BE-ja për ajër të pastër” mori gjashtë autobusë të rinj ekologjikë me gaz natyror, donacion nga Bashkimi Evropian.
- Post By Fitore Curri
- 12:20, 26 nëntor, 2024
Shkup, 26 nëntor 2024 (MIA) – Ndërmarrja e Qarkullimit Publik (NQP) sot përmes projektit “BE-ja për ajër të pastër” mori gjashtë autobusë të rinj ekologjikë me gaz natyror, donacion nga Bashkimi Evropian.
“Këtë aktivitet të cilin e zbatojmë është projekt që kushton 10 milionë euro i cili do të kontribuojë për uljen e ajrit të ndotur, sepse ky është problem ekologjik të cilin e ndjejmë menjëherë pas fillimit të sezonit të ngrohjes dhe me vite e merr tatimin ndaj shëndetit të qytetarëve”, deklaroi ambasadori i Bashkimit Evropian në vend, Mihail Rokas, në pranim-dorëzimin e gjashtë autobusëve ekologjikë në Drejtorinë e NQP-së.
Projekti, siç shtoi, i përfshin qytetet Manastir, Kumanovë, Shkup dhe Tetovë, gjegjësisht ata të cilët përballen me ndotje të rritur të ajrit.
“Transporti është shkak për sasinë e madhe të emetimeve të dyoksid karbonit të cilin e lëshojmë në atmosferë. Në këtë mënyrë mundësojmë që qytetarët të mund ta shfrytëzojnë transportin publik, në vend të veturave. Duhet ta bëjmë transportin publik që të ndotë sa më pak”, theksoi Rokas.
Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska tha se donacioni nga Bashkimi Evropian është sukses i Qytetit të Shkupit, duke shfaqur shpresë se aktiviteti i tillë do t’i motivojë këshilltarët e Qytetit të Shkupit të votojnë edhe për furnizim të edhe 250 autobusëve ekologjikë.
“Ky është me të vërtetë sukses i madh i Qytetit të Shkupit dhe dëshmi se kur administrata jonë e qytetit nuk është e bllokuar është e aftë të zbatojë diçka që është përfitim i Qytetit të Shkupit dhe gjithë shtetit. Shpresoj që sot me këtë projekt do t’i motivojmë të gjithë faktorët dhe ata këshilltarë të Qytetit të Shkupit të cilët duhet të votojnë që të ketë edhe 250 autobusë të tillë ekologjikë”, tha Arsovska. fc/
Fotografia: MIA