• e premte, 05 dhjetor 2025

NOMAGAS dhe Serbiagas nënshkruan Memorandum bashkëpunimi për ndërtimin e interkonektorit për gaz natyror

NOMAGAS dhe Serbiagas nënshkruan Memorandum bashkëpunimi për ndërtimin e interkonektorit për gaz natyror

Shkup, 27 qershor 2025 (MIA) - SHA për transmetimin e gazit natyror NOMAGAS Shkup në pronësi shtetërore dhe Serbiagas paralajmërojnë përshpejtimin e realizimit të projektit për ndërtimin e interkonektorit të gazit natyror ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

Drejtorët e NOMAGAS-it Muhamed Elmazi dhe ai i Serbia gaz Dushan Bajatoviq dje në Beograd nënshkruan Memorandum për bashkëpunim midis të cilëve dy anët konfirmuan angazhimin e tyre të fuqishëm për të nxitur bashkëpunimin dypalësh dhe për të përshpejtuar realizimin e projektit për ndërtimin e interkonektorit.

"Ky projekt strategjik me rëndësi të veçantë për të dyja shtetet, do të kontribuojë në forcimin e sigurisë energjetike në rajon, avancimin e tranzicionit energjetik dhe diversifikimin e rrugëve të furnizimit, balancimin më efikas të ofertës dhe kërkesës për gaz natyror, si dhe integrimin e tregjeve rajonale të gazit", publikoi Elmazi në Fejsbuk.

Interkonektori do t’i lidhë sistemet e transmetimit të gazit natyror të të dyja vendeve përmes një gazsjellësi me gjatësi prej rreth 70 kilometrash – 47 km në territorin e Serbisë dhe 23 km në territorin e Maqedonisë së Veriut. Lidhja do të realizohet nga qytetet Kllçovcë dhe Vranjë, ndërsa në kuadër të projektit parashihet ndërtimi i një stacioni matës kryesor në territorin e Maqedonisë dhe një stacioni matës kontrollues në anën serbe.

Elmazi informoi se aktualisht është në zhvillim Studimi i fizibilitetit dhe vlerësimi i ndikimit në mjedis i mbështetur nga Western Balkan Investment Fund (WBIF) – Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor (Western Balkan Investment Fond/ WBIF).

Nënshkrimi i këtij Memorandumi paraqet një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit rajonal në sektorin energjetik dhe konfirmon vizionin e përbashkët të të dyja vendeve për zhvillimin e një tregu të gazit natyror të sigurt, stabil dhe të integruar në Evropën Juglindore", theksoi drejtori i NOMAGAS-it. rq/

Foto: Muhamed Elmazi

QËNDRONI TË LIDHUR