• e mërkurë, 24 korrik 2024

Njëzet e pesë vjetori i çlirimit të Kosovës, një nxitje shtesë për konsolidim shtetëror e ekonomik

Njëzet e pesë vjetori i çlirimit të Kosovës, një nxitje shtesë për konsolidim shtetëror e ekonomik

Shkup 13 qershor 2024


Nga Prof.dr. Skender ASANI


Sot kur kujtojmë 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës, si historian dhe si intelektual, e kemi të domosdoshme të bëjmë një bilanc të shkurtër vlerësimesh mbi rrugëtimin e kësaj pjese të kombit, që padrejtësisht kishte ngelur jashtë tërësisë etnike dhe për afro gjysëm shekulli kishte bërë jetë paralele në regjime të ndryshme serbo-jugosllave.

Për historinë, 25 vjet janë pak, por për një komb të ndarë, 25 vjet liri janë një infuzion i çmuar për rimëkëmbjen kombëtare, kulturore, ekonomike e shtetërore, siç ndodhi edhe me Kosovën brenda këtij çerek shekulli, një hark kohor ky i nevojshëm për konsolidimin shtetëror dhe për ndërtimin e strategjive mbi të ardhmen në kuadër të proceseve euro-atlantike.
Ditë më parë, konkretisht më 9 qershor në kalendarin e kujtesës sonë kolektive, para plot 25 viteve në një aeroport sportiv në afërsi të Kumanovës, Serbia nënshkroi kapitulimin pas 78 ditësh sa zgjati bombardimi i NATO-s mbi makinerinë luftarake të regjimi të Milloshevitit dhe me këtë iu dha fund aventures hegjemoniste gati një shekullore të Serbisë në Kosovë.  

Kumanova në memorien serbe i ka dy kuptime - në njërën anë frymën triumfaliste pas Betejës së Kumanovës në vitin 1912, atëherë kur Serbia përmes ekspansioneve mbi tokat e fqinjëve e ngriti perandorinë e vet pushtuese, dhe në anën tjetër, gjunjëzimin pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës më 9 qershor 1999, që solli edhe shkëputjen defintive të lidhjeve shtetërore-adminstrative të Serbisë me Kosovën.  
Gjenaralët dhe politikanët serbë, Marrëveshjen e Kumanovës nuk do të donin asnjëherë ta regjistronin në kalendarin e ngjarjeve historike, sepse kjo datë atyre ua kujton humbjen përfundimtare të Kosovës. Kjo datë, për memorien kolektive serbe, është gozhda e fundit me të cilën po mbyllej një histori e errët, e mbushur me vrasje, shpërngulje, djegie e shkatërrime në Kosovë, por në anën tjetër, Marrëveshja e Kumanovës për historinë më të re të Kosovës paraqet ngjarjen më domethënëse që solli kthesën e madhe, duke krijuar një realitet të ri në terren, dhe një perspektivë krejt tjetër për popullin  e Kosovës.  

Paqja e munguar dhe liria e shumëpritur, ishte mbi të gjitha faqja e re e këtij realiteti, e cila po shkruhej me ngjyrën e kuqe të dëshmorëve të rënë në luftën heroike të UÇK-së. Pa këtë luftë dhe pa rezistencën afatgjate të popullit të Kosovës, liria jo vetëm që do të vonohej, por ajo ka rrezikuar të zëvendësohej me ndonjë robëri të re.  

Tani kur kujtojmë 25 vjetorin e çlirimit të Kosovës, gjeneratat e reja të lindura brenda këtij çerek shekulli, do të duhej ta dinin se rrënjët e kësaj lirie datojnë shumë më herët. Kthesa e madhe që ndodhi në qershor të vitit 1999, ishte rrjedhojë logjike e ngjarjeve e momenteve historike të cilat cilat kishin ndodhur edhe para 25 viteve, madje qysh pas LDB, atëherë kur pakënaqësia e shqiptarëve të Kosovës të tradhëtuar nga klikat shoveniste serbo-jugosllave kishte filluar të kanalizohej në forma ilegale dhe në rrugë alternative, që si pikësynim kishte formimin e një vetëdije të re politike e kombëtare  të shqiptarëve.  

Vitet pesëdhjetë, gjashtëdhjetë, shtatëdhjetë, tetëdhjetë – NDSH, Grupi për bashkim i Adem Demaçit, demonstrat e1981-shit, janë kapituj shumë të rëndësishëm të rrugëtimit tonë si komb, ku dominonte fryma e mobilizimit kombëtar për një kthesë të madhe që duhej të ndodhte në fund  të viteve nëntëdhjetë, atëherë kur gjithë ky rrugëtim u sublimua në tri shkronja – UÇK.  

Me rezistencën e armatosur të viteve 1998/99 dhe sidomos me aktin e sakrificës vetëflijuese të familjes Jashari, e personifikuar përmes figurës titanike të Adem Jasharit, Kosova njëherë e përgjithmonë me ndihmën edhe të aleatëve e miqëve të saj, e mori fatin në duarte veta, duke i shndërruar gabimet historike në favore gjeopolitike për veten dhe për rajonin. Sepse me çlirimin dhe pavarësimin  e Kosovës, jo vetëm që po mbyllej një vrimë e zezë në Ballkanin Jugprendimor, por po rivendosej një balancë e re e faktorëve politik e kombëtar në Ballkan.

Përvjetorët si ky, përpos karakterit festiv, do të duhej të kenë në vete edhe dimensionin  e reflektimit mbi hapat e mëtejmë që duhet hedhur. Kosova lirinë e fituar me gjak e sakrifica duhet ta begatojë me politika kreative shtetndërtuese, duke e bazuar gjithë potencialin institucional e shoqëror në tri shtylla: në forcimin dhe rrumbullaksimin e sovranitetit të plotë në gjithë territorin, në përshpejtimin e zhvillimit ekonomik e social dhe në konsolidimin e aftësive dhe resurseve të sigurisë.

Duke e konsideruar të mirëqenë aleancën strategjike me qendrat e vendosjes ndërkombëtare, Kosova do ta ketë të sigurt rrugëtimin e saj euro-atlantik nëse i qëndron fuqishëm kursit të reformave institucionale e administrative, luftës kundër krimit dhe korrupsionit dhe ngritjes së kapaciteteve zhvillimore-ekonomike e industriale.

Liria e Kosovës ka çmim dhe në 25 vjetorin e çlirimit ky çmim merr një kuptim të plotë, pasi që frytet e sakrificave sublime tani mund t’i shohim të integruara në jetën e përgjithshme institucionale, shoqërore, ekonimie e kulturore.Lavdi të rënëve dhe patriotëve të shumtë që sakrifikuan për lirinë e Kosovës! E përjetshme qoftë Kosova!


(Fjalë e mbajtur në Konferencën shekncore “KOSOVA 1989-1999: ORGANIZIMI DHE QËNDRESA PËR ÇLIRIM” në Institutin e Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë)

QËNDRONI TË LIDHUR