• e premte, 22 nëntor 2024

Një qind vite luftë e ISHP-së me kërcënime si Kovid-19 dhe dezinformata rreth vaksinave

Një qind vite luftë e ISHP-së me kërcënime si Kovid-19 dhe dezinformata rreth vaksinave

Shkup, 26 prill 2024 (MIA) - Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) sot solemnisht e shënoi ekzistimin e tij 100-vjeçar. Mes tjerash, ishin përmenduar edhe kërcënimet si Kovid-19 dhe dezinformatat rreth sigurisë së vaksinave. Në ngjarjen në Shkup ishte promovuar edhe monografia me titull "100 vjet - Instituti i Shëndetit Publik në Republikën e Maqedonisë së Veriut, 1924-2024 - rojtar i shëndetit publik". 

Drejtori, mjeku Shaban Memeti foli për aktivitetet parandaluese të cilat ishin drejtuar ndaj kërcënimeve siç janë llojet e reja të virusit inluenca, koronavirusit. 

"Padyshim, një nga sfidat më të mëdha me të cilat u përballëm në dekadën e fundit është pandemia me virusin Kovid-19. Pandemia i testoi rezistencën dhe aftësinë tonë si asnjëherë më parë", nënvizoi Memeti.

Megjithatë, përmes përpjekjeve kolektive, ata kanë lëvizur përgjatë këtyre kohëve të turbullta me qëndrueshmëri dhe vendosmëri. 

"Sot shënojmë 100 vite përkushtim në kujdesin për shëndetin publik. Një shekull mision vital për parandalim të sëmundjeve ngjitëse dhe jongjitëse, që përfaqësojnë kërcënim, jo vetëm për popullatën e Maqedonisë së Veriut, por edhe në përgjithësi", shtoi drejtori i ISHP-së.

Memeti foli edhe për dezinformatat dhe skepticizmin gjatë viteve të kaluara rreth sigurisë dhe efikasitetit të vaksinave, për çka, siç tha ai, përballemi me epidemi të sëmundjeve të cilat janë të parandalueshme.

Sipas ministrit të Shëndetësisë, Ilir Demiri, pandemia e Kovid-19 ishte treguesi më i mirë për rëndësinë dhe rolin e Institutit të Shëndetit Publik. 

"Me çka, u bindëm, se sa i rëndësishëm është Instituti i Shëndetit Publik dhe sa i rëndësishëm është specializimi - epidemiolog", theksoi Demiri. 

Ai, mes tjerash, tha edhe se duhet në një të ardhme shumë të afërt të formohen edhe reparte të tjera, sektorë në kuadër të Institutit të Shëndetit Publik, në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, me qëllim të zhvillimit të programeve që janë në rolin e parandalimit të shëndetit dhe që të kemi sistem shëndetësor më cilësor. 

Para të pranishmëve, përmes një video - paraqitje, foli edhe drejtori i Zyrës Rajonale për Evropë të OBSH-së, mjeku Hans Henri Kluge. 

"Ky udhëtim filloi në vitin 1924, kur u themelua Instituti i Sëmundjeve Tropikale në Shkup dhe u zhvillua nga një stacion i bakteriologjisë në laborator për testimin e sëmundjeve ngjitëse. Që atëherë, zhvillimi në Maqedoninë e Veriut ishte i paparë", nënvizoi Kluge. 

Ai tha se ata do të vazhdojnë të jenë partneri ynë i qëndrueshëm në shëndetin publik, "tani dhe përgjithmonë". 

Në video - porosinë foli edhe drejtoresha e Qendrës Evropiane për Parandalim dhe Kontroll të Sëmundjeve, mjekja Andrea Amon.

"Në krahasim me institutin tuaj, instituti ynë, ECDC, është shumë i ri. Jam shumë e kënaqur që gjatë 15 viteve të kaluara, bashkëpunimi ynë rezultoi në partneritet të frytshëm dhe të pjekur", theksoi Amon. fc/

Foto dhe video: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR