• e hënë, 23 dhjetor 2024

Një delegacion i Kuvendit në Forumin transatlantik në Uashington

Një delegacion i Kuvendit në Forumin transatlantik në Uashington

7 dhjetor 2023 

Asambleja Parlamentare e NATO-s, në bashkëpunim me Universitetin Nacional të Mbrojtjes të SHBA-së, nga 4 deri më 5 dhjetor 2023, për herë të njëzet e tretë, organizoi Forumin Transatlantik tradicional në Uashington D.C.

Në këtë eveniment ku morën pjesë mbi 100 parlamentarë nga vendet anëtare të NATO-s dhe Suedia dhe Austria me statusin asociativ, mori pjesë edhe Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në përbërje të: Mile Talevski, u.d. shef dhe Antonijo Milloshoski, anëtar i Delegacionit.

Evenimenti, i cili u mbajt në përputhje me rregullat e Çatam Haus, ishte mundësi e shkëlqyer për të shkëmbyer mendime rreth prioriteteve kryesore të politikës së jashtme të SHBA-së me funksionarë të lartë amerikanë në administratën e Presidentit Bajden dhe ekspertë të lartë amerikanë, por edhe për të konfirmuar lidhjet e forta transatlantike midis aleatëve.

Fjalim hyrës mbajti kryetari i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Mihal Shçerba, i cili bëri thirrje për vazhdimin e mbështetjes aleate për Ukrainën dhe për mobilizimin e resurseve deri në fitoren e saj përfundimtare. Në prag të Samitit Jubilar në Uashington D.C. vitin e ardhshëm, theksoi nevojën për të miratuar vendime konkrete për përshtatjen dhe transformimin e NATO-s, duke përfshirë edhe themelimin e Qendrës për Rezistencë Demokratike në selinë në Bruksel. Panel i veçantë iu kushtua kujtimit të ish-nënkryetarit të AP-së së NATO-s dhe shefit të delegacionit letonez, Ojars Eriks Kalnins, në të cilin kryetari dhe drejtori ekzekutiv i Fondit Nacional për Demokraci, Dejmon Vilson, theksoi se ndërtimi i rezistencës demokratike është vlerë e përbashkët për komunitetin transatlantik.

Parlamentarët shkëmbyen gjithashtu mendime për forcimin e mëtejshëm të mbrojtjes dhe rezistencës në përgjigjen ndaj zhvillimeve aktuale, duke investuar të paktën 2% të BPV-së në mbrojtje, duke vënë në dukje se tashmë 19 vende anëtare do të përmbushin marrëveshjen gjatë vitit 2024. Prodhimi i pjesëve, pajisjeve ushtarake dhe armatimeve u vunë në dukje si sfida të së ardhmes, veçanërisht në drejtim të plotësimit të sasive të nevojshme, si dhe standardizimit gjatë vetë prodhimit për përdorim më të madh të ndërsjellë të këtyre resurseve ndërmjet vendeve anëtare. U shqyrtuan edhe mundësitë dhe aktivitetet e nevojshme që duhet të ndërmerren për rimëkëmbjen ekonomike dhe rindërtimin në Ukrainë pas përfundimit të luftës.

Në takim u diskutua edhe për situatën në rajonin Indo-Paqësor, Lindjen e Afërt dhe Afrikën e Veriut, si dhe marrëdhëniet me Kinën. Për zgjerimin e NATO-s me vendet e ardhshme anëtare, parlamentarët e konfirmuan përkushtimin e Ukrainës për anëtarësim sapo ta lejojnë kushtet dhe i përshëndetën vendimet e Finlandës dhe Suedisë për t'u bërë pjesë e Aleancës. Një pjesë e madhe e tyre thirrën në përfundimin sa më të shpejtë të procesit për pranimin e Suedisë në NATO. Duke marrë pjesë si mysafir në këtë temë, ministri suedez i Mbrojtjes, Pal Xhonson, u mbajti fjalim deputetëve, duke theksuar përfitimet për Suedinë, por edhe për vendet anëtare nga anëtarësimi i vendit të tij në NATO.  

Sektori për marrëdhënie me opinionin

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut

_________________________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

Foto: Kuvendi i Maqedonisë së Veriut

QËNDRONI TË LIDHUR